Saturday , December 10 2016
38-martiret

Sot lumturimi i 38 klerikëve që u masakruan, pushkatuan dhe torturuan në burgjet e diktaturës

Sot është e lumnimit të 38 klerikëve martirë, që masakruan, pushkatuan dhe torturuan në burgjet e diktaturës. Bashkia e Shkodrës, me anë të deklarate, është shprehur me “gjuhën e tyre”:

 “Klerikët martirë, besimtarë që u flijuan për Atdhe e Fe, u flijuan në ato kohë t’errta shqiptare, për të ndejt në terr për ma shumë se nji gjysëm shekulli, por për t’u kthy nesër në të përjetshëm! Gjaku i tyne nuk u prish në marrëzinë shqiptare të 50 viteve, atëherë kur njeriu humbi vlerën e të kenunit Njeri! Ata sot jetojnë në lumninë e tyne, duke u lutë për një Shqipni ma të mirë, ma të drejtë, ma të begatë. Na sot, ma shumë se kurrë kena nevojë pêr ta, shtysë për besim e shpresë!”

Veprimtaritë zyrtare për Lumnimin e 38 martirëve ( Komisioni per mediat, Dom Artur Jaku & Dom Mark Shtjefni)

Kisha Katolike njoftoi se Mesha e Shenjtë e Kremtimit Liturgjik, do të celebrohet në Katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër. Ky celebrim do të udhëhiqet nga Hirësia e Tij Kardinali i Kongregatës për Çështjen e Shenjtërve Angelo Amato.

Për t’ju dhënë të gjithëve mundësinë e përjetimit të kësaj ngjarje, në sheshin përballë Katedrales, Sheshi Gjon Pali II, do të instalohen  ekrane të mëdhenjë që do të transmetojnë gjithë Kremtimin.

Për të na nderuar dhe për të qënë afer nesh në këtë Kremtim Solemn,  përvec kardinalit udheheqës, i derguari i Papa Franceskut, Angelo Amato, do të jenë të pranishëm; Kardinali i jonë d. Ernest Troshani, kryetar i Konferences Ipeshkvore të Italisë, Kardinali Angelo Bagnasco; ipeshkvi i Kelnit, Kardinali Ranier Maria Woelki; Kardinali Salvatore de Giorgi, nga Roma; Ipeshkvi i Napolit, Kardinali Crescenzio Sepe.

Do të jenë të pranishëm në bashkëkremtim 20 ipeshkvinj nga vende të ndryshme të botës; si dhe rreth 300 meshtarë nga Shqiperia, Kosova, Mali i Zi, diaspora dhe vende të tjera të botës.

Besimtarëve të shumtë që do ngarendin për të marrë pjesë në këtë kremtim solemn, nga Shqiperia, do u shtohen edhe besimtarët e tjerë nga Kosova, Mali i Zi, Kroacia dhe mbarë diaspora shqipfolese nëpër botë.

Për të nderuar këtë kremtim janë të ftuara autoritetet më të larta shtetrore si nga Shqiperia ashtu edhe nga Kosova.

Kisha Katedrale do jetë e hapur për të gjithë, të vetmet vende që do të rezervohen do të jenë për familjarët e martirëve dhe për autoritet e larta shtetrore.

I gjithë kremtimi do të transmetohet nga Televizioni publik Kombetar TVSH. Cdo media që dëshiron të transmetoje live do të ketë mundësi të lidhet në frekuencat që TVSH do vë në dispozicion.

Në lidhje me sigurinë, forcat e policisë do të angazhohen për mbarvajtjen sa më të  mirë të Meshës së Shenjtë.

Në pritje të kësaj ngjarje, për një pergaditje sa më dinjitoze, Komisioni i KISH-it i ngritur për këtë rast, ka pergaditur një seri veprimtarish/aktivitetesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *