Tuesday , December 6 2016
elbasani-futboll

Sporti në krizë, Qarku i Elbasanit “lëngon” për pak futboll

Elbasani, Turbina, Sopoti, Shkumbini, Domosdova dhe Gramshi, janë 6 skuadrat e futbollit të Prefekturës së Elbasanit. Dikur ky Qark kishte një traditë për t’u pasur zili në futboll, me klube që kanë qenë pjesë e Superiores, ndërsa ato të kategorive më inferiore hynin në kampionat me pretendime. Po sot, ku janë? Keq e më keq, kriza ka prekur të gjitha ekipet, duke e nisur sigurisht nga Elbasani. Si asnjëherë më parë, ashtu si edhe sezonin e kaluar, asnjë klub nga Prefektura e Elbasanit nuk merr pjesë në Kategorinë Superiore. E dhimbshme kur e mendon, duke njohur dashurinë që ka kjo trevë për sportin e futbollit.

Elbasani aktualisht është pjesë e Kategorisë së Parë dhe hyri me pretendime për t’u ngjitur në Superiore, por ndodhet në vendin e parafundit në Grupin B, me vetëm gjashtë pikë në klasifikim.

Turbina prej disa sezonesh militon në Kategorinë e Parë dhe po bën përpjekjet maksimale këtë fillim kampionati për të siguruar sa më shumë pikë për mbijetesën. Për Superiore as nuk mund të flitet.

Shkumbini që në kohën kur ra pas disa sezonesh radhazi nga Superliga, nuk e ka ngritur më “kokën”, duke u endur në vendet e fundit një kategori më poshtë. Edhe pse aktualisht është në vendin e dytë, pretendimet nuk i ka të mëdha.

Sopoti po kalon momentin më të vështirë gjatë këtyre sezoneve të fundit. Edhe pse vitin e kaluar ra nga Kategoria e Parë, por u rifut sërish, këtë sezon duket larg pritshëmrive, duke mbyllur klasifikimin.

Domosdova dhe Gramshi militojnë në Kategorinë e Dytë, ndonëse dikur kanë qenë skuadra tradite në të Parën. Edhe për këtë sezon nuk kanë një projekt për t’u ngjitur, duke u kënaqur thjesht me pjesëmarrjen në kampionat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *