Friday , September 22 2017
Loading...

Të hënën votohet qeveria teknike, ja kush janë 3 aleatët që Basha i fut në zgjedhje

Bisedimet për më se tetë orë midis kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha përgjatë dy ditëve përfunduan dje me një marrëveshje të gjerë politike.

Marrëveshja Rama-Basha e cila u realizua dy ditë rrjesht në 8 ore bisedime përfundoi në një marrëveshje të gjerë politike, ku përmes saj opozita përfiton gjysmën e qeverisë.

PD po tregohet hermetike lidhur me emrat që do të propozojë për qeverinë teknike, të cilët sipas burimeve brenda saj, mësohet se do të jetë jashtë politikës.

Propozimet do të vijnë edhe nga aleatët, të cilët i qëndruan në krah PD-së përgjatë gjithë qëndresës së gjatë në çadrën përballë Kryeministrisë.

Deri të hënën emrat e opozitës duhet të jenë gati, pasi secili prej tyre do të votohet në seancën e jashtëzakonshme për t’i hapur rrugën qeverisë së re teknike, shkruan GSH.

Aleatët

Një nga pikat e marrëveshjes mes Ramës e Bashës që partitë të hyjnë secila në zgjedhje ka shkaktuar pakënaqësi tek aleatët më të vegjël. Pika e dytë e marrëveshjes thotë: “Regjistrimi i menjëhershëm i partive politike të opozitës.

Regjistrimi i listave shumemërore të partive politike të opozitës brenda datës 26 maj 2017”.

Nga kjo pikë del që nuk ka koalicione parazgjedhore dhe më të penalizuar pritet të jenë LSI dhe PDIU, pasi i kanë dorëzuar tashmë listat e kandidatëve për deputetë dhe më të favorizuar të jenë aleatët e PD-së, që mund t’i kërkojnë Bashës të përfshihen në pozicione të sigurta në listat e kandidatëve të PD për deputetë.

Në rastet kur partitë e vogla hynë në zgjedhje pa koalicion, llogariten vetëm votat e fituara me siglën e saj, çka e bën më të vështirë kalimin e pragut zgjedhor. Referuar sistemit zgjedhor, një parti e vogël mund të marrë një deputet në një qark të madh, ku edhe numri i votuese është më i madh, ndërsa rrezikon të mos marrë mandate deputeti në qarqet më të vogla.

Por, ajo që pohohet nga burimet brenda PD-së është se në listën e saj pritet të jenë vetëm tre aleatë, konkretisht kreu i PR-së, Fatmir Mediu, kreu i PAA-së Agron Duka dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Në pikëpyetje janë aleatët e tjerë, të cilët i qëndruan pranë PD-së gjatë qëndresës 90-ditëshe në “çadrën e lirisë”.

Listat

Prej kohësh PD-ja ka gati propozimet e bazës për garën zgjedhore në Kuvendin e ri të Shqipërisë. Pavarësisht ngritjes së çadrës në Tiranë, degët e PD-së në rrethe sollën propozimet e bazës drejt qendrës në pritje të miratimit të listës përfundimtare nga kryesia e PD-së. Por, ky proces u ndërpre përkohësisht për shkak të protestës.

Ndaj brenda katër ditëve, PD-ja do të ketë gati listën me emrat e demokratëve që do të garojnë më 25 qershor, duke marrë edhe miratimin e kryesisë së partisë. Por, secili emër do të kalojë në filtrin e komisionit të posaçëm për verifikimin e figurave në kuadrin e dekriminalizimit dhe që drejtohet nga doktor Kosova.

Burime brenda PD-së bëjnë me dije se Kosova do ta ketë më të lehtë këtë proces, pasi mësohet se emrat e përzgjedhur nga baza kryesisht janë të rinj dhe nuk ka preken nga dekriminalizimi. Por, përveç shumë emrave të rinj që janë propozuar nga baza, si ish- zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi ka edhe emra të njohur të PD-së si Topalli, Bylykbashi, Boçi, Patozi, Bode etj., ndërkohë që pavarësisht se ish-lideri historik i PD-së, Sali Berisha është propozuar, nuk dihet nëse do të preferojë të jetë sërish deputet në Kuvendin e ri të Shqipërisë. /albeu.com/

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: