Monday , August 21 2017

Të ruajmë pyjet, të ruajmë pemët

Besimtar dhe qytetarë të nderuar!

Në këtë vend ku ne jetojmë, Zoti na ka falur mirësi pafund, disa prej të cilave jemi ne që duhet të kontribuojmë për ruajtjen e tyre.

Të gjithë ne i duam pemët dhe pyjet të cilat janë përreth nesh, ato na hijeshojnë jetën dhe na dhurojnë kënaqësi dhe pamje të mrekullueshme.

Në fakt njeriu si krijesë inteligjente ka një lidhje të ngushtë dhe të pandashme me pemët gjatë jetës së kësaj bote.

Kujdesi që ka treguar njerëzimi për pemët është e hershme, madje para se të njiheshin me shumë dobi të cilat janë bërë të njohura në ditët e soçme.

Padyshim që Zoti Fuqiplotë e ka krijuar çdo gjë me urtësi të mahnitëshme. Çdo gjë që na rrethon, e krijoi për të qënë në shërbim të njeriut dhe në dobi të tij.

Zoti i Madhërishëm thotë: “Ai (Zoti) krijoi qiejt e tokën, dhe për ju lëshoi shi nga qielli, e Ne me të bëmë të lulëzojnë kopshte të bukura, që për ju ka qenë e pamundshme t’i bëni të mbijnë bimët në to; A mos ka ndonjë zot tjetër pos Allahut? Jo, por ata janë popull që shtrembërojnë (të vërtetën). Sure En Nahl: 60.

Në këtë mirësi bëjnë pjesë pyjet dhe pemët, Zoti  Madhështor i bëri ato shkak për të ndikuar në klimën në të cilën ne jetojmë, ato janë një shkak për ruajtjen e burimeve ujore dhe një numër të madh gjallesash.

Pyjet dhe pemët që kemi përreth, luajnë një rol të jashtëzakonshëm në pastrimin dhe filtrimin e ajrit, ato janë mushkria e qyteteve tona dhe furnizueset më të mira me oksigjen të pastërt.

Zoti i Madh gjithashtu ka bërë që pemët dhe pyjet të luajnë një rol të madh në pakësimin e lagështisë dhe ngricave, po ashtu dhe temperaturat janë më të ulëta në pyje dhe përreth pemëve.

Prandaj prezenca e pemëve në qytet është shumë e dobishme, sepse ato reduktojnë temperaturat e larta që çlirohen si rezultat i asfalteve dhe ndërtesave të shumta.

Për shkak se ne nuk jemi të vëmendshëm ndaj ndryshimeve klimatike,  detyrimisht harrojmë se pemët dhe pyjet ruajnë qytetet tona, vendet ku banojmë dhe jetojmë nga erozionet dhe gërryerjet të cilat mund të shkaktohen si shkak i erërave të forta apo reshjeve të mëdha.

Pemët ruajnë tokat bujqësore nga thatësira dhe të mbjellat nga dëmet, sepse pyjet dhe pemët, janë si një mur mbrojtës nga erërat e forta.

 

Por cila është detyra jonë si besimtarë dhe qytetarë?

 

Feja Islame ka urdhëruar dhe nxitur për çdo të mirë, sikurse ka ndaluar nga e keqja dhe shkatërrimi, dhe nga ato për të cilat ka nxitur, është dhe kujdesja për ambientin ku jetojmë dha natyrën që na rrethon.

Profeti Muhamed -paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të- ka thënë: “Nëse dëgjoni se ka ardhur Kijameti dhe në dorën e dikujt gjendet një fidan (peme), le ta mbjellë atë”.

Pra feja islame dhe profeti i saj nxisin për mjelljen e pemëve edhe atëhere kur marim vesh se njerëzimit i erdhi fundi.

Prandaj ne duhet të kujdesemi për pyjet dhe pemët.

Në një hadith tjetër, Profeti Muhamed thotë: “Çdo musliman i cili mbjell një pemë, do ti vlerësohet si sadaka”.

Të mos i presim pemët pa kriter, t’i ruajmë nga zjarret dhe djegia, sepse ruajtja e pyjeve dhe pemëve nga zjarrvënia është po aq e rëndësishme sa mbjellja e tyre.

Sikurse zjarrvënia e pyjeve është prishje në tokë. Zoti thotë në Kuran: “E posa të kthehet, ai (njeriu keqbërës) në tokë përpiqet të bëjë shkatërrim në të, të asgjësojë të korrat (mbjelljet) dhe gjallesat. E Allahu nuk e do çrregullimin (shkatërrimin)”. Sure: El Bekare: 205

Imam Bledar Haxhiu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: