Sunday , December 4 2016
perndjekje-el

Tiranë/Gruaja ndihmon lypësin, ai e përndjek dhe i kërkon martesë

Një 53-vjeçar i akuzuar se ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme pronaren e një dyqani në kryeqytet, është dënuar së fundmi nga Gjykata e Tiranës me 15 muaj burg, por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, A.Kuta do të vuajë vetëm 10 muaj heqje lirie.

Sipas vendimit të gjykatës, 53-vjeçari A.Kuta, i martuar dhe me arsim të lartë, ishte paraqitur si lypës në dyqanin e SH.B. duke i kërkuar ushqim, por më pas u shndërrua në një përndjekës.

Gruaja ka bërë kallëzim në polici, me pretendimin se “lypësi” i kishte vendosur edhe thikën në fyt, për ta detyruar të martohej me të. I pyetur në cilësinë e personit nën hetim, i pandehuri A. Kuta, ka shpjeguar se e ka ndjekur shtetasen Sh.B., sepse e kishte zgjedhur dhe donte ta merrte për nuse.

Në kallëzimin e saj, pronarja e dyqanit ka shpjeguar se, që nga dhjetori i vitit 2015, ajo përndiqej nga i A.Kuta. Më konkretisht, ajo ka shpjeguar se, në dyqanin ku tregtonte artikuj si bizhuteri, kozmetikë dhe argjend, kishte hyrë një person si lypës dhe i kishte kërkuar të holla për të blerë cigare.

Ajo i kishte dhënë para, sepse i kishte ardhur keq për të, por i pandehuri A.Kuta kishte filluar të shkonte çdo ditë në dyqan, duke i thënë se nuk kishte se çfarë të hante. Ajo i porosiste diçka për të ngrënë. Kjo situate ka vazhduar rreth 15 ditë.

Më pas, kallëzuesja ka shkuar në Itali tek i biri, i cili është me studime atje dhe është kthyer në datën 05.01.2016. Pas kësaj date, i pandehuri, ka shkuar përsëri në dyqanin e saj, duke i bërtitur dhe duke e kërcënuar se e kishte lënë pa ngrënë. Pas disa ditësh, ka shkuar përsëri në dyqan, por kësaj radhe kishte edhe një thikë me vete, të cilën ja ka afruar deri në fyt, duke i zgjatur një letër dhe stilolaps për të firmosur që të martohej me të. Kjo gjendje ka zgjatur rreth 4 minuta, pasi gruaja kishte shtypur butonin e alarmit dhe aty kishte mbërritur një nga punonjësit e shoqërisë së policisë private, te cilët e kishin kapur të pandehurin dhe kanë lajmëruar policinë.

Por ,Kuta ka ikur me vrap dhe nuk është bërë e mundur të kapet as nga patrulla e policisë së shtetit, e cila kishte mbërritur ndërkaq tek dyqani.

Po atë ditë, pas rreth dy orësh, ai kishte shkuar tek dyqani i saj, i maskuar si grua dhe i kishte thënë pronares se, në se do të bënte njoftim në polici, do ta zhdukte brenda 24 orëve.

Më datën 08.05.2016, rreth orës 20:00, gruaja ka qenë me dy shoqet e saj dhe Kuta i kishte ndjekur nga prapa me një thikë, duke i kërcënuar dhe trembur, shkruan ‘Standard’. Pronarja e dyqanit nuk ka kallëzuar në polici nga frika se mos i pandehuri i bënte keq.

Në periudhën prill-maj 2016, i pandehuri i ka shkuar gjithmonë nga prapa kallëzueses, duke e ndjekur dhe kërcënuar, duke e përndjekur në çdo vend ku ajo shkonte, duke ja bërë, sipas saj, jetën “ferr”, dhe duke mos gjetur dot qetësi për shkak të tij.

Në datën 26.05.2016, i pandehuri i ka shkuar përsëri tek dyqani dhe ajo është detyruar të bëjë kallëzim penal në polici. I pyetur në cilësinë e personit nën hetim, i pandehuri A. Kuta, ka shpjeguar se, e ka ndjekur shtetasen Sh.B,, sepse e kishte zgjedhur dhe donte ta merrte për nuse. Këtë shtetase, vazhdon ai, e kam njohur tek dyqani i saj, ku ai ka blerë artikuj të ndryshëm deri në vlerën 30.000 lekë. “E kisha fiksim dhe doja që të martohesha me të”. Ai ka theksuar se nuk është person problematik dhe nuk shqetëson njeri, por zonjën Sh.B ka dashur ta marrë për grua se e ka pasur shumë qejf.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *