Monday , December 5 2016
sahati-i-dritave

Urdhri i Ministrisë së Energjisë. Verifikimit të mjeteve matëse të energjisë elektrike.

Punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë do të shkojnë shtëpi më shtëpi e biznes më biznes për të verifikuar vulat në sahatet që matin energjisë dhe regjistrimin e saj. Ministria e Financave dhe Ministria e Energjisë kanë hartuar një udhëzim të përbashkët, ku janë miratuar edhe tarifat që do të paguajnë qytetarët për këtë shërbim, të cilat variojnë nga 200 lekë deri 1.200 lekë.

Urdhri
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj kanë firmosur një urdhër të përbashkët për përcaktimin e tarifave-tavan të shërbimit të verifikimit të mjeteve matëse të energjisë elektrike. Sipas urdhrit, verifikimi i matësve të energjisë elektrike do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë (DPM), ose nga një person juridik i autorizuar prej saj, i akredituar sipas legjislacionit në fuqi. “Verifikimi i matësit realizohet në terren, aty ku matësi është i instaluar, pranë laboratorit të DPM-së, ose personit juridik të autorizuar prej saj. Për shërbimin e verifikimit të matësve të energjisë elektrike, të kryer nga DPM-ja ose nga personi juridik i autorizuar prej saj, paguhen vlerat financiare të rëna dakord ndërmjet palëve, pa tejkaluar tarifat-tavan të cilat përcaktohen në këtë udhëzim”, thuhet në udhëzimin që mban firmën e dy ministrave.

Periodiciteti i verifikimit të matësve të instaluar të klientit përcaktohet në Kodin e matjes, ndërsa llojet e shërbimeve që do të kontraktohen, sasitë dhe kushtet e realizimit të verifikimit të matësve, përcaktohen në kontratën-tip të miratuar nga ERE dhe të nënshkruar ndërmjet palëve. Tarifat janë për njësi (copë) dhe nuk përfshijnë TVSH-në. Ndërkohë, tarifat e verifikimit të matësve të energjisë elektrike derdhen në bankë në numrin e llogarisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit, drejtorive rajonale, degëve, zyrave të saj, ose të personit juridik të autorizuar prej saj.

Sahatet
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) sapo ka përfunduar operacionin e vendosjes së matësve për të gjithë abonentët, të cilët faturoheshin aforfe për muaj të tërë. Sipas detyrimit ligjor, përcaktuar nga ERE, dhe angazhimit të Ministrisë së Energjisë, OSHEE-ja ndërmori fushatën e instalimit të matësve te të gjithë abonentët, për periudhën janar-qershor 2016, të cilët ishin rreth 37 mijë. Në total, duke filluar nga viti 2015, kur nisi dhe zbatimi i reformës në sektorin energjetik, deri në vitin 2016, janë instaluar rreth 71 mijë matës. (Gazeta Shqiptare)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *