Vijon puna për ndërtimin e ujësjellësit të Belshit,  banorët e Belshit dhe Seferanit 24 orë me ujë të pijshëm

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Belshit, Arif Tafani dhe deputeti Musa Ulqini inspektoi punimet që po kryhen për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit, i cili synon që verën e vitit 2020 Belshi të mos vuajë më mungesën e ujit të pijshëm.

Në fjalën e tij Balla tha se investim i qeverisë shqiptare me vlerë 3.4 miliardë lekë të vjetra, do të bëjë të mundur furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm cilësor për 15 mijë banorë të qytetit të Belshit dhe fshatit Seferan.

“Një vit më parë, gjatë turit të bashkëqeverisjes, Kryeministri Rama ishte në Belsh dhe një nga problemet që u ngrit nga të gjithë njerëzit ishte investimi në ujësjellës.

Pa dyshim ky është një hap i madh. Unë jam shumë krenar bashkë me Musain dhe Arifin që Kryeministri Rama dhe qeveria e kanë miratuar këtë fond, që nuk është pak, por 3.4 miliardë lekë.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt përmbushjes së angazhimit tonë për të garantuar furnizimin me ujë të pijshëm në të gjithë Bashkinë e Belshit.

Kjo fazë e parë e investimit garanton ujë të pijshëm për qytetin e Belshit dhe zonën e Seferanit, e cila është një prej destinacioneve turistike më të rëndësishme, jo vetëm të Belshit, por të Shqipërisë” deklaroi Balla.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Belshit, Arif Tafani në fjalën e tij vlerësoi këtë investim të qeverisë shqiptare, duke shpresuar në financimin edhe të fazave të tjera të tij në mënyrë që e gjithë zona e Dumresë të mos vuajë më për ujë të pijshëm
“Faza e parë është një investim i qeverisë shqiptare prej 3.4 miliardë lekësh që konsiston në rinovimin e puseve, stacionin e pompimit, në shtrimin e rreth 11 km tubacioni qëndror të dërgimit të ujit deri në depon e Belshit.

Një investim i tillë deri para pak vitesh ishte i paimagjinueshëm, por që ka zgjidhur një legjendë urbane për banorët e Belshit të cilët kanë pasur mungesa të theksuara në furnizimin me ujë të pijshëm. Ne shpresojmë në financimin e plotë edhe të fazave të tjera të projektit”, tha Tafani.
Në dy fazat e tjera të këtij projekti parashikohet furnizmi me ujë i të gjithë zonës së Dumresë, e cila historikisht ka pasur vështirësi në furnizimin me ujë të pijshëm.