Monday , July 26 2021

Taksa e makinave, radhët e fundvitit DPSHTRR thirrje qytetarëve: Paguani sa më parë

Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin radhët e fundvitit dhe të nxitojnë të paguajnë sa më parë taksat vjetore të mjetit pranë drejtorive rajonale dhe zyrave të kolaudimit. Taksa vjetore e mjeteve të përdorura (TVMP) është e vlefshme për 365 ditë dhe caktohet sipas formulës: cilindrata në cm3 x koeficienti fiks sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 12,5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën. Koeficienti sipas vjetërsisë së mjetit është si në shtojcën 1 bashkëlidhur këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij. Mjetet me vjetërsi nga 0-3 vjet nuk janë subjekt i kësaj takse. Detyrimi për pagimin e taksës i takon pronarit të mjetit. E ardhura nga taksa, për çdo rast, mblidhet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Drejtoritë Rajonale, para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të detyru-eshëm të mjetit. Kontrolli teknik i mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre kryhet brenda periudhës së vlefshmërisë 365-ditore të taksës vjetore të mjeteve të përdorura. Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5% të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25% për çdo vit.

Taksa e mjeteve të luksit
Automjet “luksoz” konsiderohet autovetura deri në 6+1, e cila plotëson të paktën njërin nga kushtet e mëposhtme: a) cilindratën të barabartë ose më të madhe se 3000 cm3 ose b) vlerën/çmimin të barabartë ose më shumë se 5 000 000 lekë. Pavarësisht nga pagesa e taksës vjetore të mjeteve të përdorura (TVMP), mbi makinat luksoze zbatohet taksë regjistrimi në masën 70 000 lekë për regjistrim të çdo makine luksoze dhe taksë e përvitshme në masën 21 000 lekë çdo vit. Taksa e përvitshme për automjetet luksoze është e vlefshme për 365 ditë. Detyrimi për pagimin e taksës i takon pronarit të mjetit. E ardhura nga taksa, për çdo rast, mblidhet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, drejtoritë rajonale, në momentin e vjeljes së taksës vjetore të mjeteve të përdorura (TVMP). Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar detyrohet të paguajë një gjobë prej 5% të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25% për çdo vit.


Përjashtimet taksa
Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor bën të ditur se përjashtohen nga pagimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura: a) mjetet në pronësi të ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare, që gëzojnë status diplomatik, të akredituara në Republikën e Shqipërisë, duke zbatuar parimin e reciprocitetit. b) Personat fizikë apo juridikë, të cilët deklarojnë se nuk do të qarkullojnë me mjete në pronësi të tyre gjatë vitit kalendarik, përkohësisht vetëm një herë brenda një viti kalendarik, ose do të dalin përfundimisht nga qarkullimi dhe që dorëzojnë pranë DPSHTRR targën dhe lejen e qarkullimit, me kusht që të kenë paguar detyrimet e prapambetura, nëse kanë. c) Pagesat e taksës së mjeteve të bllokuara me vendim të gjykatës, të prokurorisë, për periudhën në të cilën mjeti ka qenë i bllokuar dhe pagesat e taksës së mjeteve të vjedhura, të djegura, të shkatërruara nga aksidentet, të vërtetuara nga organet e prokurorisë. ç) Autoveturat tip deri në 4+1 vende dhe me cilindratë jo më shumë se 2500 kubikë, kur këto mjete kalojnë në zotërim të invalidëve e të veteranëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar, invalidëve të punës, të verbërve, invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë, që e fitojnë këtë status në bazë të ligjeve përkatëse, dhe përdoren vetëm për nevojat e tyre personale e jo për veprimtari private. d) Makinat bujqësore.