Saturday , March 6 2021

Pesë viktima në 24 orë, sot në aksident humbi jetën një 5-vjeçar

Një fëmijë 5 vjeçar dhe një 70 vjeçar humbën jetën si pasojë e dy aksidenteve në Peqin dhe Lezhë. Në harkun e 24 orëve në rrugët e vendit janë shënuar 5 viktima.

Një 5 vjeçar humbi jetën në një aksident tragjik në aksin Elbasan-Peqin.

Fëmija, udhëtonte si pasagjer në një makinë që drejtohej nga një 51 vjeçare e afërme e tij.

Makina tip Fiat u përplas me një mjet që drejtohej nga një 67 vjeçar pranë fshatit Karinë në dalje të Peqinit.

Goditja mes mjeteve ka qenë e fortë e për pasojë fëmija 5 vjecar ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë rrugës për në Spital.

Më herët Një 70-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidentit në Lezhë.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Tale në orën 06:50 të mëngjesit.

Sipas policise mjeti tip “Zetor” ka dalë nga rruga , ku për pasojë ka humbur jetën drejtuesi i mjetit, shtetasi Mark Luli 70 vjeç, banues në Tale, Lezhë.

Java nisi e përgjakur.

Tre viktima u shënuan në rrugë ditën e hënë në tre aksidente të ndryshme Tiranë, Sarandë dhe Shkodër.

Dy këmbësorë u përplasën nga dy makina, ndërsa në Shkodër, viktima ishte drejtues i një motorciklete.

Aksidentet rrugore kanë prodhuar një bilanc lufte.

25 viktima janë shënuar vetëm për muajin tetor, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.

Sipas ekspertëve në pjesën dërmuese të aksidenteve shkak është sjellja e shoferëve.


360grade.al