Thursday , March 4 2021

Universiteti i Elbasanit çeli ekspozitën e “Fondit të Librit Christian Gut”

Albanologu i shquar francez, prof. Christian Gut, i dhuroi Universitetit të Elbasanit një thesar të rrallë, bibliotekën e tij personale me mbi 3500 libra, revista e dorëshkrime.

Prof. Gut e kishte lënë me testament para vdekjes se, këtë fond do t’ia dhuronte bibliotekës së Universitetit të Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani”, një amanet që u mundësua nga Rektori i Universitetit, prof. dr. Skender Topi, i cili udhëtoi drejt Parisit dhe solli këtë fond të artë për Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë.

Me këtë rast, nën kujdesin e Fakultetit të Shkencave Humane dhe departamentit të Gjuhësisë, në bibliotekën e këtij Universiteti u zhvillua një ceremoni krejt e veçantë, me pjesëmarrjen e studentëve, studiuesve, pedagogëve dhe ambasadores së Francës në Shqipëri, Christina Vasak.

Në ambientet e bibliotekës u ekspozuan edhe librat e rrallë mes tyre edhe botime të viteve 1700 e në vazhdim, duke pasuruar kështu fondin e Albanologjisë dhe duke e kthyer Elbasanin në epiqendër të saj.

Në fjalën e marrë me këtë rast, Rektori prof. dr. Skënder Topi u shpreh se Christian Gut ishte një studiues i jashtëzakonshëm që gjithë jetën e tij ia përkushtoi historisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare. Ai tha se “ndjehet krenar që Universiteti i Elbasanit është vazhdues i traditës së shkëlqyer të Normales dhe plejadës së ndritur të mësuesve, shkencëtarëve dhe akademikëve nga ky qytet”.

Rektori Topi nënvizoi gjithashtu se, “pasuria shkencore e këtij miku të madh të shqiptarëve ka pasuruar fondin e albanologjisë dhe ballkanologjisë të cilat do të jenë objekt studimi për kërkuesit dhe shkencëtarët”.

Ndërsa ambasadorja e Francës në vendin tonë, Christina Vasak e ka vlerësuar shumë këtë akt dhe u shpreh se trinomi ambasadë, universitet dhe aleancë franceze po funksionin për mrekulli.

Në fjalën e saj dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, prof. as. dr. Majlinda Peza (Perriu), bëri një përmbledhje të jetës dhe veprës së prof. Gut. Ajo u shpreh se, edhe pse Gut ishte Anëtar i Akademisë së Kosovës, edhe pse mbante titullin Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës, ai ishte mjaft i lidhur me Elbasanin dhe për këtë Këshilli Bashkiak i dha titullin “Qytetar Nderi”.

Me detaje rreth veprimtarisë kërkimore të prof. Christian Gut dhe rëndësisë së jashtëzakonshme të fondit të dhuruar Universitetit të Elbasanit, foli drejtuesja e Departamentit të Gjuhësisë, prof. as. dr. Teuta Toska. I gjithë ky aktivitet, dhe ekspozimi i librave, u kurua me kujdes të veçantë falë punës së saj.

Ekspozita me “Fondin e Librit të Christian Gut” do të qëndrojë e hapur deri më 14 dhjetor.