Monday , March 8 2021

Kuriozitete rreth qyetit tonë/ Kush janë tre perandorët që i vunë emrin qytetit të Elbasanit?

Interesi që po ngjall për vizitorët e huaj kalaja e tipit fushor në Elbasan, një qytet në Shqipërinë e Mesmë, pa dyshim ka të bëjë me origjinën romake të saj, ndaj dhe ajo është përfshirë në projekte të rëndësishme.
I pari projekt synoi pastrimin e fasadës së kalasë nga ndërtimet e paligjshme, ndërsa projekti tjetër i Universitetit të Pizës, synon rivitalizimin e saj. Pas një studimi 2 vjeçar të sipërfaqes, banesave dhe monumenteve që ndodhen brenda kalasë, është hartuar një plan rregullues në perspektivë, që do ta shndërrojë hapësirën urbane brenda mureve të saj në një hapësirët të ngjashme me qendrat historike në Itali, ku ndodhen kështjella të këtij tipi. 

– Qyteti që përshkohet nga rruga e lashtë Egnatia-

Kalaja impozante e Elbasanit, ngritur mbi kalldrëmin e rrugës perandorake Egnatia, në harkun e 1200 viteve është pagëzuar nga tre perandorë të shquar të historisë, Diokleciani, perandori Romak me origjinë Ilire, Justiniani i Parë Bizantin nga Bederiana pranë Prishtinës, dhe sulltani më i famshëm i turqve Osmanllinj, Mehmet Fatih Ngadhnjyesi.
Lindjen, zhvillimin dhe rrënimin përfundimtar Skampini, (Elbasani) ia detyron të njëjtit faktor, “Rrugës Egnatia”.
“Në kohën e Perandorisë Romake ndërtimi i saj u bë burim mirëqënie e lulëzimi dhe jo vetëm për Skampinin, por krejt krahinën rreth e rrotull, ndërsa në vigjiljen e dyndjeve të popujve e në vazhdim të tyre, ajo u shndërrua në një shkak mjerimi të pandërprerë”. Këto fjalë të  arkeologut dhe historianit Hasan Ceka shpjegojnë qartë arsyen e ndërtimit të Kalasë së Elbasanit, ose “Castrum Scampinus”, siç quhej në epokën e Perandorisë Romake.
Kjo fortesë përfaqëson një “castrum statum” për strehimin e një legjioni romak që do të shërbente për ruajtjen e sigurinë e rrugës Egnatia. Vetëm një fuqi e tillë si shteti romak mund të kishte sigurinë e ndërtimit dhe qëndrueshmërisë së një kalaje fushore.
Paraardhësit tanë i ndërtonin kështjellat në maja shkrepash të mbrojtura nga natyra, ndërsa romakët ndiqnin parimin “Kalatë i mbrojnë burrat, jo muret!”. Ndaj në të gjithë gjatësinë e rrugës Egnatia, ndihen vlerat monumentale dhe autoriteti i fuqisë së tyre.

-Toponimet-

Klaudiana (Peqini i sotëm). Paul -est, ( fshati i sotëm Paulesh) Lolaj, që të kujton emrin e legjionarit romak Lolian Mansio (Rrapi i Mansit), Liber – assio ( Librazhdi i sotëm), Valas ( Valësh), tregojnë gjurmët më të pashlyeshme të rrugës më të rëndësishme të perandorisë Romake.
Megjithëse rruga Egnatia përmendet nga Straboni 120 vjet para Krishtit, Kalaja e Skampinit filloi të ndërtohej në vitet 285 – 305 para Krishtit, ndërsa mori formën e plotë nga rindërtimi i gjatë kohës së perandorit Justiniani i Parë, në vitet 530 – 565 pas Krishtit.
Por shumë kohë para se të ndërtohej ky fortifikim, filloi jetën qyteti i Skampinit në fillim rreth stacionit Mansio të rrugës Egnatia e më pas u ç’vendos në luginën e gjerë midis dy përrenjve të Zaranikës dhe Manasderes.

Në dokumenta të mëvonshme emri i qytetit të lashtë do të marrë trajta të ndryshme. Sipas gjuhës që përdorin kumtuesit e tij dokumenti më i rëndësishëm dhe më autentik për vendodhjen e qytetit dhe formën e emrit, është guri i varrit të Legjiniarit Mark Sabidi që ndodhet në Muzeun Etnografik të qytetit.

Kalaja fushore e Skampinit të lashtë ka formën e një katërkëndëshi këndrejtë me përmasa 308 x 348 metra, e orjentuar në drejtim verilindje – jugperëndim. Ajo ka katër hyrje të cilat mbrohen nga kulla. Në katër qoshet e saj gjenden kullat e mëdha që mendohet të kenë qenë 12 metra të larta në ndërtim. Kështjella është e pajisur me 26 kulla që gjenden 40 – 50 metra larg njëra tjetërs. Ajo qarkohej nga një hendek tre metra i thellë që mbushej me ujë nga përroi i Zaranikës. Muri i periudhës së vonë romake gjendet në të gjithë gjatësinë e mureve.Ai ngrihet mbi nivelin e themeleve dhe ruhet në lartësinë 5 metra. Trashësia e murit rrethues është tre metra. Ai është ndërtuar me teknikën “opus mixtum” me katër rreshta tullash në brez.

Kjo ndërthurje shërben për të realizuar një lidhje më solide midis pjesëve të murit.

Nga punimet e kryera në brendësi të murit jug – perëndim të kështjellës del në pah një lartësi muri prej 9 metrash.

Në gjendjen e sotme të kalasë mungojnë plotësisht hyrjet kryesore të kështjellës ose siç quheshin nga romakët portat “dekumanus”.

Porta  që egziston sot është vetëm një hyrje sekondare që përfaqëson drejtimin veri – jug. Portat kryesore të drejtimit perëndim – lindje nëpërmjet të cilave kalonte rruga Egnatia, gjendeshin ndërmjet dy kullave në formë U – je, të dala gjysëm jashë murit rrethues.Ka pasur dy porta të jashtme dhe të brendshme dhe midis tyre një oborr katërkëndësh me përmasa 1×10 metra. Mendohet se brenda rrethimit të kalasë, veç ndërtesave puiblike të ketë pasur edhe dy katedrale paleokristiane. Ne vitin 1466 sulltan Mehmet Fatihu urdhëroi rindërtimin e mureve gërmadhe të Skampinit antik, “të quajtur tani qytet”.Kalaja e rindërtuar që shërbeu së pari si garnizon ushtarak, u emërtua nga turqit Il – bassan, por populli duke mos u pajtuar në fillim me emrin e huaj e quajti Qyteti i Ri. Në tekstet kishtare të kishës së Shelcanit ai quhet Neokastron. Në dokumenta italiane ai quhet herë Terranova herë Çitanuova.Vetëm nga mesi i shekullit XVIII emri “Qyteti i Ri” bie në harresë dhe filloi të përdoret emri Elbasan. E megjithatë populli i kësaj treve nuk e humbi krejt kujtimin e qytetit antik të Skampinit duke e përjetësuar, atë në emrin e lumit Shkumbin.

Por edhe një kodër në jug të urës së Shkumbinit ku janë gjetur rrënoja antike, mbante emrin qytezë, deri sa brezi ynë e harroi. Në vitin 1899 në një nga kullat e kalasë në pjesën jugore u ndërtua edhe kulla e sahatit që është ende edhe sot në gjendje pune dhe krenari i qytetit që e ka. Ajo ngrihet e lartë si simbol i Elbasanit dhe që është mirëmbajtur jo vetëm si kullë që është në gjendje të mirë, por edhe mekanizmi i sahatit të tij.

Kalaja e qytetit

Në vitin 1466 sulltan Mehmet Fatihu urdhëroi rindërtimin e mureve gërmadhe të Skampinit antik, “të quajtur tani qytet”. Kalaja e rindërtuar, që shërbeu së pari si garnizon ushtarak, u emërtua nga turqit “Il-bassan”, por populli duke mos u pajtuar në fillim me emrin e huaj, e quajti Qyteti i Ri. Në tekstet kishtare të kishës së Shelcanit ai quhet Neokastron.
Në dokumenta italiane ai quhet herë Terranova herë Çitanuova. Vetëm nga mesi i shekullit XVIII emri “Qyteti i Ri” bie në harresë, ndërsa filloi të përdoret emri “Elbasan”.
Megjithatë populli i kësaj treve nuk e humbi krejt kujtimin e qytetit antik të Skampinit duke e përjetësuar atë tek emri i lumit Shkumbin. Edhe një kodër në jug të urës së Shkumbinit, ku janë gjetur rrënoja antike, mbante emrin qytezë, deri sa brezat e harruan.
Në vitin 1899, në një nga kullat e Kalasë në pjesën jugore, u ndërtua dhe kulla e sahatit që është ende sot në gjendje pune si një krenari e qytetit. Ajo ngrihet e lartë si simbol i Elbasanit dhe është mirëmbajtur jo vetëm si kullë, e cila është në gjendje të mirë, por edhe mekanizmi i sahatit të tij.

Miranda Sadiku