Saturday , March 6 2021

Vdekja e Rexhinës Debrovës, gabimet fatale të mjekut e dy raportet që nxjerrin shkakun e ndarjes nga jeta të 25-vjeçares

Dy ekspertime mjeko-ligjore, të kryera në 22 prill dhe 13 dhjetor 2019, tregojnë se vdekja e 25-vjeçares Rexhina Debrova në sallën e operacionit pranë spitalit të Elbasanit, ka ardhur si rezultat i komplikacionit “embolia amniotike”, një dukuri kjo që ndodh shumë rrallë gjatë procesit të lindjes. Prej tetorit 2019, prokurori i çështjes Xhelian Seferi, kishte kërkuar një ekspertim të dytë, me qëllim qartësimin e situatës për shkakun e vdekjes së të ndjerës Debrova, dhe në datën 13 dhjetor 2019, mjekët e Institutit të Mjekësisë-Ligjore, i kanë konfirmuar për herë të dytë prokurorisë se vdekje e 25-vjeçares, kishte ardhur pikërisht nga “embolia amniotike”. Nisur nga ky rezultat shkencor por edhe nga veprimet e tjera hetimore të realizuara përgjatë 10 muajve nga prokuroria e Elbasanit, një ditë më parë është firmosur urdhëruar-arrestimi i mjekut Gjinekolog, Adrian Kadaifçiu, i cili tashmë akuzohet për “Neglizhencë në trajtim mjekësor” me pasojë vdekjen.

Por mjeku prej muajit gusht 2019, është larguar në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për arrestimin e tij, prokuroria dhe policia e Elbasanit ka kërkuar ndihmën e Interpolit me qëllim lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin në Shqipëri të Kadaifçiut. Sipas hetimit të kryer nga prokurori i çështjes rezulton se mjeku, nuk ka kryer të gjitha analizat apo kontrollet mjekësore të detyrueshme për kryerjen e ndërhyrjes kirurgjikale. Në rastin konkret të pacientes Debrova, nuk ishte një rast urgjence për të ndërhyrë. Në dosjen e prokurorisë thuhet se:“…Nga të gjitha  veprimet që ka kryer mjeku Kadaifçiu, ky rast nuk është trajtuar si urgjencë obsetrikale, pasi përshkruhet në kartelë prej tij, se i propozohet nënës të kryejë provën e lindjes çezariane…”. Më tej prokuroria thotë se:“…duke qënë se nuk ishte urgjence obsetrikale atëherë vendimarrja e mjekut, për zgjidhjen e teknikës së lindjes së bebit, duhej të bëhej me konsultë, pasi Rexhina Debrova të shtrohej në pavjon…”. Gjithashtu nga ana e mjekut anestezist nuk janë kryer egzaminimet dhe konsultat me mjek specialist, që kërkon një ndërhyrje kirurgjikale çezariane,  siç janë, Ro-skopi pulmoni, Elektrokardiografi e zemrës, konsulte me mjekun kardiolog, egzaminimet laboratorike si kohë hemorragjie dhe e kuagulimit. “…nuk rezulton të jetë në kartelën klinike partograma si protokoll standard i vendosur nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë…”-thotë prokuroria e Elbasanit.

Kjo prokurori më poshtë rendit argumentin se të gjitha këto mangësi kanë ndikuar në vendimarrjen e mjekëve për mënyrën e zgjedhur për lindjen e bebit, gjë e cila ka sjellë dhe pasojën. Lidhur me këtë çështje është marrë në pyetje, bashkëshorti i të ndjerës Rrexhina Debrova, Algerti i cili në deklarimin e tij ka treguar momentet e diskutimit me doktorin Ardjan Kadaifçiu dhe ndarja me gruan 25-vjeçare, para se ajo të hynte në sallën e operacionit. Duke qenë se Rrexhina Debrova, kishte kaluar dhjetë ditë nga lindja normale dhe e ndjera nuk kishte shenja për të lindur vetë, Algerti dhe Rexhina kishin zhvilluar në muajin prill 2019, një takimin me doktorin. Mjeku i ka sugjeruar që ose të provonin një lindje të stimuluar ose të lindin me operacion. Në këto kushte, çifti ka vendosur të kryejë lindje me operacion. Para kësaj procedure, nga ana e mjekut është bërë një vizitë. Nga infermjerët e turnin është bërë një vizitë, ku janë kontrolluar rrahjet e zemrës së bebit dhe tensioni i shtatzanës. Më pas e ndjera është përshëndetur me bashkëshortin dhe familjarët e saj dhe ka hyrë në sallë, për tu bërë gati për operacion. Në lindjen me operim të Rexhina Debrova, kanë marr pjesë doktori Ardjan Kadaifçiu, si mjeku kryesor obsteter-gjinokolog, dhe si mjek asistent Kasem Dylgjeri, si dhe anestezisti Nikollaq Thano me asistenten e tij, Blerta Arapi dhe Alda Oga. Në orën 11:40 pacientja i është nënshtruar anestezisë Spinale, nga mjeku reanimator Nikollaq Thano dhe asistentja e tij Blerta. Në orën 11:45 është kryer incizioni i lëkurës së barkut dhe 5 minuta më vonë është bërë lindje e foshnjës, e cila ishte në gjëndje të mirë shëndetësore dhe pa vuajtje. Gjatë gjithë kësaj kohe pacientja ka qenë e vetëdijshëme dhe ka komunikuar, ku në një moment ka kërkuar ujë dhe nga njëra prej infermieres është lagur buza me ujë.

Në hapat e parë të këtij hetimi është pyetur doktori Ardjan Kadaifçiu,i cili ka deklaruar se:”…në momentin që kishte përfunduar operacioni dhe po hiqeshin mbulesat sterile, ka dëgjuar Blertën, e cila ka thënë “…pacientja po nxihet dhe kishte vështirësi në frymëmarrje…”, si dhe ka dëgjuar që Blerta ka bërtitur “…doktor Niko…”, i cili është afruar dhe ka filluar ti japi ndihmën pacientes. Në ndihmë ka ardhur dhe mjeku tjetër reanimator Artan Prifti, të cilët ka dhënë ilaçe dhe kanë ushtruar masazhe, me qëllim kthimin e frymarrjes…”. Më tej në dëshminë e tij të dhënë në prokurori Kadaifçiu ka deklaruar se ka dëgjuar për “arrest kardiak” dhe ndalim zemre si dhe tromboemboli pulmonare nga reanimatorët. Për të përmirësuar shëndetin e Rexhina Debrova, në ndihmë të mjekëve ka mbërritur dhe Kardiologu Mehmet Ibraj. Sapo është njohur me situatën, mjeku Ibraj ka konstatuar se Debrova, ishte në gjendje të parametrave jetik shumë të dobët dhe pasi ka bërë dhe një EKG të radhës,kardiologu në fjalë, ka konstatuar se pacientja kishte ndërruar jetë.E.L./Shqiptarja.com