Thursday , July 29 2021

Kalimi i pronësisë për shtëpitë dhe tokën, ja kush përfiton nga heqja e tatimit. Deputetja e Elbasanit, Kushi: Zero taksë për rastet…

Hiqet detyrimi tatimor për kalimin e të drejtës së pronësisë nga burri te gruaja apo te fëmijët. Deputetja e maxhorancës, njëkohësisht një ndër nismëtaret e këtyre ndryshimeve ligjore, Evis Kushi sqaron risitë e paketës, e cila është duke u diskutuar në Komisionin e Ekonomisë.

Në një intervistë dhënë për gazetën, Kushi bën me dije se përjashtimi nga tatimi do të bëhet për të gjitha rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë së banesës apo truallit nëpërmjet dhurimit nga prindi te fëmija, apo midis bashkëshortëve, domethënë nga burri te gruaja dhe anasjelltas. “Nëse prindi apo bashkëshorti kanë disa banesa, siç mund të jetë për shembull një ndërtues pallatesh apo një pronar i madh, atëherë ata përfitojnë nga heqja e tatimit vetëm një herë, pra vetëm për njërën prej tyre. Gjithashtu, në amendamentin fillestar ne propozuam që kur vlera kadastrale (vlera e tregut) e banesës është mbi 30 milionë lekë, atëherë të vendoset një tatim me normë 3 %, por Komisioni vendosi që të mos ketë asnjë limit dhe përjashtimi nga tatimi të bëhet në çdo rast, pavarësisht vlerës së shtëpisë apo truallit”, sqaron Kushi.

Cili ishte qëllimi i hartimit të kësaj nisme ligjore nga ana juaj dhe kolegut Vorpsi?

79381862_2480622208870459_37930101731491840_o

Nisma merr shkas nga shumë shqetësime të mbledhura nga qytetarët ndër vite, lidhur me detyrimin aktual që përcakton ligji nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, për pagimin e tatimit mbi të ardhurat personale nga kalimi i të drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, ku përfshihet edhe kalimi i të drejtës së pronësisë së banesës në masën 15%. Ky nivel aktual taksimi ka penguar rregullimin e marrëdhënieve të pronësisë brenda këtij grupi trashëgimtarësh, pra brenda familjes, për shkak se e drejta e kalimit të pronësisë nga babai ose nëna te fëmija, apo nga burri te gruaja dhe anasjelltas, aktualisht kushtëzohet nga pagesa e tatimit prej 15%. Ky nivel aktual i taksimit ndikon jo pozitivisht dhe ka impakt social në shumë raste, kur prindërit apo njëri nga prindërit, për të mundësuar një bashkëjetesë vëllazërore të kënaqshme dhe për të shmangur konflikte apo mosmarrëveshje të ndryshme, kërkojnë të bëjnë ndarjen e pasurisë gjatë kohës që ata janë gjallë. Pikërisht për të adresuar këtë problematikë, së bashku me kolegun Vorpsi, ne dorëzuam në Komisionin për Ekonominë dhe Financat një amendament, nëpërmjet të cilit mundësohet përjashtimi nga detyrimi i pagesës së tatimit 15% për të gjitha rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë së banesës apo truallit nëpërmjet dhurimit, brenda lidhjes gjinore burrë, grua, fëmijë.

Kush përfiton nga heqja e tatimit për kalimin e pronësisë në rastin e trashëgimisë?

Siç e theksova më sipër, përjashtimi nga tatimi do të bëhet për të gjitha rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë së banesës apo truallit nëpërmjet dhurimit nga prindi te fëmija apo midis bashkëshortëve, domethënë nga burri te gruaja dhe anasjelltas. Ndërkohë, është e rëndësishme të saktësojmë që përjashtimi bëhet vetëm për një shtëpi apo truall. Nëse prindi apo bashkëshorti kanë disa banesa, siç mund të jetë për shembull një ndërtues pallatesh apo një pronar i madh, atëherë ata përfitojnë nga heqja e tatimit vetëm një herë, pra vetëm për njërën prej tyre. Gjithashtu, në amendamentin fillestar ne propozuam që kur vlera kadastrale (vlera e tregut) e banesës është mbi 30 milionë lekë, atëherë të vendoset një tatim me normë 3 %, por Komisioni vendosi që të mos ketë asnjë limit dhe përjashtimi nga tatimi të bëhet në çdo rast, pavarësisht vlerës së shtëpisë apo truallit.

Përse u përjashtua dhurimi i pronës pa tatim edhe nga fëmija drejt prindit?

Shqetësimet që na kanë ardhur nga qytetarët kanë qenë në masën më të madhe për rastet e dhurimit nga prindi te fëmija dhe jo anasjelltas. Prandaj edhe qëllimi i amendamentit ishte zgjidhja e këtyre rasteve, si dhe dhurimi midis bashkëshortëve, nga burri te gruaja dhe anasjelltas.

A hiqet tatimi në rast se vëllai/motra i dhuron pjesën e tij takuese të pronësisë vëllait/motrës?

Kushi-1-588x1024

Jo, ky amendament nuk përfshin rastet e dhurimit midis motrave dhe vëllezërve. Por nëse është fjala për prona që fëmijët i përfitojnë me akt trashëgimie, kjo çështje zgjidhet me vendim gjykate, ku njëri apo disa nga fëmijët mund të heqin dorë nga e drejta e pasurisë e duke ia falur kështu pjesën e tyre vëllait apo motrës. Ndërsa kur ata janë tashmë pronarë të një banese/trualli, atëherë nëse duan ta dhurojnë te vëllai/ motra, ata do t’i nënshtrohen detyrimit të pagesës së tatimit 15%. Pra, duhet të bëjmë të qartë dallimin midis dhurimit dhe trashëgimisë.

Kur flitet për kalimin e pronësisë, bëhet fjalë vetëm për banesat apo edhe për trojet e pasuri të tjera?

Ky amendament u referohet vetëm rasteve të banesës dhe truallit, ndërkohë që për tokën bujqësore ky përjashtim është bërë tashmë kohë më parë, në legjislacionin përkatës.

Përse heqja e tatimit nuk ka përfshirë dhe trashëgiminë e një biznesi nga prindi te djali apo vajza?

Dua të theksoj që amendamenti ynë është në linjë dhe në fokus me përmbushjen gjithnjë e më shumë të objektivave sociale të kësaj maxhorance. Kur bëhet fjalë për kalim pronësie që përbën burim të ardhurash, është normale që të jepet një kontribut për buxhetin e shtetit. Për këtë amendament, ne jemi konsultuar gjatë me ekspertë të fushës, madje i jemi referuar edhe legjislacionit të vendeve të tjera të rajonit dhe të BE-së dhe ashtu si dhe në pikat e tjera, edhe në këtë pikë jemi përafruar me shumicën e tyre. Më vjen shumë mirë që edhe kolegët e Komisionit e mbështetën dhe e votuan pro këtë amendament