Saturday , March 6 2021

Lejuan kultivimin e kanabisit, pezullohen 10 efektivë policie në Librazhd e Elbasan

Me vendim të Gjykatës së Elbasanit, 10 punonjës policie të këtij qarku, si në komisariatin e Librazhdit janë pezulluar nga detyra, lidhur me hetimet e nisura disa muaj më parë për shpërdorim detyre. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka ekzekutuar këtë të enjte vendimin e gjykatës, e cila ka caktuar për ta masën e sigurimit “Pezullimin nga ushtrimi i detyrës“.

Nga hetimet e prokurorisë së Elbasanit ka rezultuar se 10 punonjësit e policisë janë personat përgjegjës për menaxhimin, monitorimin, koordinimin dhe kontrollin e strukturave për zbatimin e planit të masave në parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të lëndëve narkotike.

Pezullim nga detyra është caktuar për kryekomisarin Bedri Hasanaj, i cili mbante detyrën e shefit të komisariatit Librazhd; për shefin e qarkullimit rrugor në drejtorinë e policisë Elbasan, Adriatik Hutin; për Armand Konin, shefin e krimeve në Librazhd; për Leonidha Zaimin, shefin e rendit në Librazhd, si dhe për specialist krimesh e inspektorë.

Mësohet se për këta persona hetimet kishin rreth 3 muaj që kishin nisur, pas sekuestrimit të rreth 3 mijë rrënjëve kanabis sativa të kultivuara në fshatin Ostren të Librazhdit.

Nga hetimet ka rezultuar se këta punonjës policie dyshohet të kenë lejuar kultivimi e bimëve narkotike kudrejt pagesa të ndryshme.

Pezullohen nga detyra:

K/komisar Bedri Hasanaj, 52 vjeç, me detyrë Shef i Komisariatit Librazhd;

K/komisar Adriatik Huti, 48 vjeç, me detyrë Shef i Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan;

Komisar Armand Koni, 40 vjeç, me detyrë Shef për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Librazhd;

Komisar Leonidha Zaimi, 40 vjeç, me detyrë Shef Seksioni për Rendin në Komisariatin e Policisë Librazhd;

N/komisar E.A., 44 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve;

N/komisar G.H., 40 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve;

N/komisar Y. Z., 51 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan;

Inspektor K.Q. 46 vjeç,me detyrë Ndihmës Specialist për Policimin në Komunitet;

Inspektor Z.C., 51 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist për Policimin në Komunitet;

Inspektor I.D., 52 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist për Policimin në Komunitet.