Monday , March 8 2021

Ndotja e ajrit, problem në Elbasan, Bashkia: Të pafuqishëm për të ndërhyrë

Ndotja e ajrit në qytetin e Elbasanit është një shqetësim i përhershëm i banorëve të këtij qyteti, por në mënyrë të veçantë i atyre që jetojnë pranë ish zonës industriale të Kombinatit Metalurgjik.

Në këtë zonë operojnë disa firma të cilat shkarkojnë sasi të konsiderueshme gazrash si pasojë e proceseve të tyre teknologjike. Por si janë standardet e ndotjes së ajrit në zonën e Elbasanit?

Kjo pyetje merr përgjigje të ndryshme nga shoqatat që kanë monitoruar ndotjen dhe të ndryshme nga Bashkia e qytetit, e cila gjithashtu ka monitoruar të njëjtën zonë.

“Problemi i nivelit të ndotjes në Elbasan vazhdon të mbetet shqetësues. Rezultojnë se elemente të rrezikshme në ajër janë në nivele të larta dhe ndonjëherë shkojnë me shumëfishe. Duke u përsëritur herë pas herë kjo tregon se këtu ka një papërgjegjshmëri të madhe”, tha Ahmet Mehmeti, Klubi Ekologjik Elbasan

Ndotjen e pranon edhe përfaqësuesi i Inspektoratit të Mjedisit në Bashkinë e Elbasanit, por jo në nivelet e paraqitura nga Klubi Ekologjik dhe mbi të gjitha brenda parametrave të lejuara.

“Ne nuk mundemi të dalim nga ky përjashtim dhe të themi që Elbasani nuk është i ndotur, por nuk është në shifra apo nivele alarmante. Këto ndotje në mjedis nuk vijnë vetëm nga industritë që kemi në zhvillim. Më problem për ndotjen kanë qenë lëvizja e mjeteve në zonat urbane”, tha Ismail Dybeli nga Inspektorati i Mjedisit në Bashkinë Elbasan

Por a ka operatorë në ish zonën e Metalurgjikut që ndotin tej normave të lejuara dhe si ndëshkohen ato?

“Puna jonë konsiston në kontrollin, asistimin siç është për shembull në Ferokromin e vjetër që deri para pak kohësh më parë nuk e kishte instaluar sistemin e pluhur-kapjes. U shpall zonë emergjence. Ju bë kërkesë ministrisë të ndërhynte sepse këto pika nuk janë nën kompetencën tonë. Ka masa administrative për këto abuzime, deri në mbyllje të subjektit”, shtoi Dybeli.

Ndërkohë nga Ministria e Mjedisit nuk ka asnjë reagim në lidhje me abuzimet që firmat bëjnë me ndotjen e mjedisit në zonën e ish Metalurgjikut, megjithë interesimin e A2 pranë këtij dikasteri. / A2news