Sunday , March 7 2021

Spital i ri modern me përvojën e mjekëve më në zë të Europës, Llatja: Investim i rëndësishëm për Elbasanin

Elbasanit i shtohet një spital i ri privat modern e bashkëkohor, i cili do t’i shërbejë banorëve. Spitali privat ka nisur të ofrojë një shërbim shëndetësor sipas standardeve europiane me teknologjinë e fundit si në pajisje për ndërhyrje kirurgjikale, ashtu edhe në pajisje spitalore.

Mjeku i njohur në Elbasan, Adrian Palloshi shprehet se “ky spital është i licencuar në bazë të standardeve europiane dhe përbëhet nga një staf mjekësh specialistë si shqiptarë, ashtu edhe të huaj”.

Pak ditë më parë në këtë spital u krye për herë të parë në Shqipëri ndërhyrja në variçe me teknologjinë laser duke sjellë një risi në mjekësinë shqiptare.

Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja e cilësoi hapjen e këtij spitali në Elbasan si një investim të rëndësishëm për ekonominë e qytetit, që sipas tij “me iniciativën e doktorit të mirënjohur Adrian Palloshi dhe falë mbështetjes së miqve së Ambasadës së Francës Christina Vasak dhe Ambasadës italiane, Alberto Cutillo, në Elbasan vjen përvoja e mjekëve më në zë të Europës, me pajisje moderne dhe një standard cilësor në ofrimin e shërbimit spitalor”.

Ky spital privat ofron shërbime shëndetësore endoskopi, echografi, kirurgji me laser e shumë specialitete të tjera.