Tuesday , March 9 2021

Miratohet projekti i restaurimit të kishës së Shën Kollit në Shelcan, Elbasan

Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin e restaurimit të “Kishës së Shën Kollit”, Shelcan, Elbasan.

“Projekti i hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në elementët konstruktivë të kishës”, sqaron Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Kisha e Shën Kollit është një monument i trashëgimisë kulturore në Shelcan, në qarkun e Elbasanit.

Kjo kishë është e njohur për afresket e piktorit të madh shqiptar të shekullit XVI, Onufri.

Kisha është me pllaka guri të çrregullta, dhe e mbuluar me çati me kapriata pa tavan, restaurim i vitit 1969. Për sa i përket datimit, duke u nisur nga teknika e ndërtimit me dy dhe tre rreshta tullash horizontale, mendohet se duhet t’i takojë fundit të shekullit XVI.