Wednesday , April 21 2021

Mungojnë vaksinat antigrip në Elbasan, pensionistët: Nuk kemi mundësi t’i blejmë

Ndonëse ndodhemi në mesin e muajit janar, në Elbasan ka ende kërkesa për vaksinat antigrip, kryesisht nga pensionistët. Ata shprehen se nuk kanë mundur ta bëjnë vaksinën, pasi prej një muaji ajo mungon në qendrat shëndetësore, ndërsa nuk kanë mundësi ekonomike për ta blerë në farmaci.

“Kam shkuar dhe më kanë thënë që nuk ka. Nuk e di si i shpërndajnë. Vetëm ta blesh me lekë, por me aq pension sa marrim ne, nuk e përballojmë dot”, deklaroi një prej tyre.

Mungesa e vaksinave pranohet edhe nga drejtueset e qendrave shëndetësore, të cilat shprehen se numri i pensionistëve që nuk e kanë bërë është i vogël krahasuar me ato qe janë vaksinuar në muajin nëntor të viti të kaluar

“Ne kemi kontakte herë pas herë me qendrat shëndetësore dhe drejtuesit e tyre. Ka pasur interesim dhe kemi biseduar me drejtoreshat e qendrave duke kërkuar që jemi në pritje dhe njerëzit duhet të presin. Duke qenë një vaksinë e rekomanduar ne jemi të gatshëm atëherë kur të na vijë kontingjenti”, tha Ertela Hila, drejtuese e një qendre shëndetësore.

Deri sa të vijnë vaksinat, pensionistët luten të mos preken nga gripi, pasi vaksinimi pas kësaj nuk do të bënte më efekt.