Thursday , September 24 2020

Rikonstruktohet shkolla “Jorgji Dilo” në Elbasan, i shërben 680 nxënësve.(Foto)

Kryetari i Grupit Parlamentar socialist Taulant Balla së bashku me kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja inspektuan nga afër ecurinë e punimeve që po kryehen për rikonstruksionin e shkollës “Jorgji Dilo” në Elbasan.

Në fjalën e tij, Balla tha se falë kësaj ndërhyrjeje, viti i ri shkollor do të nisë me kushte bashkëkohore dhe me standardt bashkëkohore për 680 nxënësit e shkollës “Jorgji Dilo” në Elbasan.

Sipas Ballës, në këtë shkollë mësimi bëhej me dy turne për shkak të numrit të madh të nxënësve, ndaj dhe shtimi i klasave ishte i domosdoshëm.

“Rikontruksioni i shkollës “Jorgji Dilo” ishte një angazhim që e kemi marrë, bashkë me Gledin, para banorëve të kësaj zone. Rikonstruksioni i kësaj shkolle ishte bërë i domosdoshëm për shkak të një degradimi të madh. Shumë shpejt shkolla do të jetë gati, me 12 klasa të reja shtesë, me palestër, bibliotekë dhe do të garantojë shërimin e një plage të vjetër, atë të mësimit me turne.
Së bashku me Kryetarin e Bashkisë, e kemi kthyer në praktikë, t’u qëndrojmë të koka punimeve, pasi për ne e rëndësishme është cilësia e punimeve.”, deklaroi Balla.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja në fjalën e tij garantoi se të tilla standarde do të zbatohen në të gjitha objektet që rikonstruktohen, pasi përpos investimeve të tjera, një fokus të veçantë Bashkia e Elbasani ka vënë tek shkollat e kopshtet.