Saturday , March 6 2021

Dosja/ ‘Janë shumë lekë’, bashkëjetuesja e Çilit vuri në dyshim skemën, i vëllai e ‘qetësoi’ (FOTO)

Trafik droge, falsifikim parash, rrahje me pagesë, kontrata të manipuluara pronash, e takimi me zyrtarin e lartë për të liruar vëllezërit Aliko, janë disa nga fragmentet e dosjes hetimore në ngarkim të të arrestuarve të operacionit ‘Mezhgorani’.“Dosja.al” zbardh sot të plotë dosjen ku u arrestua botuesi Henri Çili, dhe 28 persona të tjerë, përfshirë këtu kunatin, Gazmir Ajdinaj dhe biznesmenin Sait Fishta. Në fashikullin 1.13 të materialit të prokurorisë, përmendet edhe bashkëshortja e Henri Çilit, Pranvera, e motra e Gazmirit, e cila bisedon me të vëllain në fillim të muajit dhjetor 2019, dhe pasi ky i fundit e vë në dijeni se i shoqi do të marrë 750 mijë euro për të liruar nga burgu Arbion dhe Aliko, thotë se këto janë shumë para.  Ndërkohë që Gazmir Ajdinaj, rezulton i përfshirë në një sërë ngjarjesh të paligjshme, përfshirë edhe gjetje tritoli për të bërë shpërthim pallatesh.

Pjesë nga dosja hetimore:

“1.13. Nga përmbajtja e komunikimeve të shtetasit Gazmir Ajdinaj me shtetasin e identifikuar si Adil Aliko, i cili ka në përdorim numrin e telefonit celular 069 25****7, babai i shtetasit Arbion Aliko, i dënuar me burgim të përjetshëm dhe Alban Aliko, i dënuar me 18 vite burg, rezulton se është lenë për t’u takuar më datë 07.12.2019. Pas kësaj bisede, Adil Aliko komunikon me shtetasin Seit Fishta, bashkëpunëtor i tij, të cilit i thotë se i kanë kërkuar shumë lekë, afërsisht 1 000 000 euro për t’a ndihmuar për të dy djemtë, por ai i ka dhënë vetëm 250 000 euro.

Ky fakt, rezulton edhe nga bisedat e zhvilluara mes Gazmir Ajdinajt dhe së motrës së tij, të cilës i pohon se janë takuar Enri Çili dhe Adil Aliko me ndërmjetësimin e tij, takim i cili është filmuar, ranë dakord për shumën e 750 mijë eurove, ku një pjesë do jepet cash dhe pjesa tjetër pasuri e paluajtshme në Shëngjin. Në vijim të bisedës, bashkëshortja e Enri Çilit i thotë se janë shumë lekë, ndërsa Gazmir Ajdinaj, i përgjigjet se nuk janë shumë lekë pasi ai do të bëjë lobim, shkrim ndërhyrje në organet e drejtësisë dhe ai është dënuar për vepër të rëndë penale.

Në ditët në vijim, më datë 10.01.2020, Enri Çili jep prokurë të Posaçme, punonjësit të tij, Betim Shkupi për të vepruar në emër dhe për llogari të tij për marrjen e dy pronave si dhurim nga shoqëria “Fishta” sh.p.k, të ndodhura në Velipojë. Pas kryerjes së veprimit të dhurimit, Enri Çili komunikon me Gazmir Ajdinaj dhe i thotë se ka qenë një sukses duke i premtuar dhe një shpërblim. Më datë 03.02.2020 shtetasi Enri Çili komunikon me drejtoreshën e Kadastrës Shkodër dhe i kërkon të përshpejtojë regjistrimin e pasurive, ndërsa kjo shtetase i premton se do t’a bëjë dhe i kërkon dërgimin e dokumenteve.”