Wednesday , April 14 2021

SKEMA/ Policia arreston avokatin e shpallur në kërkim, akuza për dy vepra penale. Dosja e tij në SPAK

Policia e Fierit ka vënë në pranga një avokat në këtë qytet, i cili kishte krijuar skema dhe bënte presione ndaj qytetarëve të ndryshëm, kundrejt përfitimit të shumave financiare për arrestime apo ndalime ndaj tyre. “Panorama” mëson se ai quhet Klaudio Xhymerti.

Policia më herët bëri me dije se ndaj avokatit fierak, Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, më 08.01.2020, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

NJOFTIMI

Kapet dhe ndalohet një shtetas me profesion avokat, i shpallur në kërkim për “Korrupsion pasiv” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Specialistët për hetimin e krimit ekonomik e financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Tiranë, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim:

K. Xh., 30 vjeç, banues në Fier, me profesion avokat.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin e datës 08.01.2020, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Shtetasi K.Xh., gjatë kohës që ka qenë avokat pranë Dhomës së Avokatisë Fier, nëpërmjet skemës së mashtrimit, dyshohet se realizonte presione dhe inskenime ndaj qytetarëve të ndryshëm kundrejt përfitimit të shumave financiare për arrestime/ndalime ndaj tyre, për shkak të kallëzimeve penale që bëheshin, por që nuk përmbanin elementë të veprës penale.

Materialet proceduriale i kaluan SPAK për veprime të mëtejshme./tpz