Tuesday , March 2 2021

Rënie gurësh për shkak të reshjeve në disa akse në Elbasan, rëndohet qarkullimi, ndërhyjnë firmat e pastrimit

Si pasojë e reshjeve të dendura të cilat kanë rënë pa ndërprerje gjatë gjithë natës së fundit dhe në orët e para të mëngjesit janë krijuar probleme serioze në qarkullimin e automjeteve në aksin rrugor Elbasan-Librazhd në segmentin Murrash -Librazhd.
Sipas burimeve zyrtare ka pasur rënie gurësh dhe masive dheu dhe qarkullimi për këtë shkak ja vijuar për dy orë në një korsi duke krijuar trafik. Në segmentin e bllokuar firma kontraktuese po punon për largimin e materialeve të ngurta dhe rikthimin e normalitetit.
Ndërkohë edhe në aksin rrugor Elbasan-Cërrik Mollëgrabovë, në segmentin rrugor Banje Gramsh ka rënie gurësh dhe vërshim aluvionesh. E njëjta situatë paraqitet edhe ne segmentin Kodovjat-Mollëgrabovë ku ka rënie gurësh. Emergjencat Civile kanë kërkuar mobilizim të firmave kontraktuese për marrjen e masave dhe ndërhyrje e shpejtë për normalizimin e situatës. Si rezultat i shirave ka pasur probleme edhe në Lagjen Nr.3 Cërrik ku po punohet nga MZSH Cërrik për largimin e ujit që ka përmbytur rrugë dhe disa banesa.

Në fshatin Muriqan Njësia Administrative Gjergjan në bashkinë e Elbasanit ka pasur bllokim të kolektorit kullues Nr.3 i cili ka shkaktuar probleme serioze. Për evitimin e problemeve janë  njoftuar specialistët e Bordit të Kullimit për marrjen e masave dhe normalizimin e situatës.