Saturday , September 19 2020

U deklarua se Amerika do të mbështeste Kosovën, Grenell nxjerr blof Kurtin: SHBA nuk do të çojë dëm ndihmat e saj

I dërguari special i Presidentit të SHBA Donald Trump, Richard Grenell përmes një reagimi në Twitter ka përgënjeshtruar deklaratën e zyrës së shtypit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se gjatë një bisede telefonike mes Kurtit, O’Brien dhe Grenell, është marrë konfirmimi nga zyrtarët se ata nuk do të ndalojnë mbështetjen për Kosovën.

Përmes një Retweet-i në postimin e gazetarit Berat Buzhala – ku ky i fundit publikonte deklaratën e këshilltarit të Kurtit, Erzen Vraniqi që konfirmonte mbështetjen e dy zyrtarëve amerikan ndaj Kosovës- Grenell ka nxjerr blof qeverinë Kosovare duke theksuar se kjo “nuk është e vërtetë”.

“Kjo nuk është e vërtetë. Ne i kemi bërë të qartë Kurtit se vendimi i tij për të mbajtur tarifat edhe pjesshëm është duke dëmtuar ekonominë e Kosovës – dhe SHBA’ja nuk do të çojë dëm ndihmat tona nëse lidershipi i Kosovës vazhdon të dëmtojë popullin e vet në këtë mënyrë”, thuhet në sqarimin e të dërguarit special të Trump në Kosovë, Richard Grenell.

“Gjatë bisedës së djeshme telefonike të Kryeministrit Kurti me Ambasadorin O’Brien dhe Ambasadorin Grenell ata nuk kanë deklaruar se do t’i tërheqin trupat ushtarake amerikane nga Kosova dhe se do ta ndalin në ndonjë fushë ndihmën ekonomike për vendin tonë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura ta rrisin zhvillimin ekonomik e ta forcojnë sigurinë në rajon. Në fund të bisedës, të dyja palët janë pajtuar që ta vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin”, shkruante Erzen Vraniqi, këshilltar i Kurtit.

Kujtojmë se, kjo nuk është hera e parë pas formimit të qeverisë së re të Albin Kurtit që një institucioni të Kosovës i përgënjeshtrohet deklarata publike.

Në 21 shkurt, Ministrja e Jashtme e Xhamajkës, Kamina J. Smith do të përgënjeshtronte deklaratën e Presidentit Hashim Thaçi se vendi i saj ka njohur pavarësinë e Kosovës, teksa shkruante: “Deri më sot, Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën”.