Saturday , February 27 2021

Familja pukjane me koronavirus, nis dezinfektimi i gjithçkaje në qytet.

Banorët e Pukës janë zgjuar sot të panikuar nga koronavirusi, teksa pesë anëtarë të një familjeje pukjane, që jeton në Tiranë, kanë rezultuar pozitiv ndaj këtij virusi. Gazetari i “News24” dhe “BalkanWeb” raportoi se në rrugët e qytetit të Pukës sot janë parë shumë pak njerëz, ndërsa punonjësit e bashkisë kanë nisur që prej mëngjesit dezinfektimin e të gjitha rrugëve, godinave të shërbimit dhe pallateve.

Siç raportoi gazetari Mehaj, paniku është shtuar edhe më shumë te qytetarët, pas lajmeve të qarkulluar së fundi se njëri nga të prekurit me koronavirus kishte marrë pjesë në një ceremoni mortore në Pukë.

Por, sipas gazetarit Mehaj, një gjë e tillë nuk është aspak e vërtetë, pasi personi i infektuar nuk ka qenë në asnjë varrim, ndaj dhe nuk ka vend për panik.

Më tej, gazetari tha se me mbylljen e shkollave dhe universiteteve, një numër i madh studentësh, por edhe qytetarësh, po kthehen nga Tirana në Pukë, pasi mendojnë se mund të jenë më të sigurt.