Tuesday , March 9 2021

Vetizolimi dhe mësimi on-line, pedagogia Poroçani: Duhet t’ia dalim!

Nga Albina Hoxhaj

Natasha Poroçani (Shuteriqi), pedagoge pranë Departamentit të Gjuhës Shqipe në Universitetin e Durrësit, me një përvojë të gjatë në mësimdhënie në arsimin parauniversitar si dhe me një kontribut të konsiderueshëm në tekstet shkollore dhe letërsinë artistike për fëmijë vjen në një intervistë për “Konfident.al” tregon se si mund të përballohet kjo situatë emergjente kur të gjithë janë mbyllur në shtëpi, si e vetmja formë për t’u mbrojtur nga koronavirusi. Çfarë mund të bëjnë fëmijët gjatë kësaj kohe, si mund të organizohet dita e tyre? Për të gjitha këto Poroçani ka disa sugjerime.

Zonja Poroçani, pavarësisht punës suaj si pedagoge në Universitetin e Durrësit, kontaktet dhe kontributet tuaja në arsimin parauniversitar nuk janë shkëputur. Çfarë do të sugjeronit për nxënësit në këtë periudhë izolimi?

– Duke ju falenderuar për vëmendjen tuaj drejt situatës së pazakontë që po kalon tërë bota, unë para së gjithash mendoj se kjo periudhë vetizolimi duhet të jetë në fakt një periudhë produktiviteti për nxënësit dhe studentët. Në përputhje me orientimet (që i gjykoj të drejta) të MAS, mendoj se nxënësit duhet t`i nënshtrohen procesit të të mësuarit individual dhe në ato raste kur ekziston mundësia edhe të mësuarit virtual.

Meqë edhe ju e përmendët, mësimi on-linë i propozuar dhe në tentativë, a është një zgjidhje e mundshme?

-Personalisht e gjykoj jo vetëm zgjidhje të mundshme, por edhe efikase për një përqindje të konsiderueshme të nxënësve. Përcaktoj një përqindje të konsiderueshme sepse, nëse i referohemi disa zonave të thella rurale, por edhe cikleve të ulta të shkollimit, mendoj që ka vështirësi të cilat lidhen sa me infrastrukturën e procesit,  aq edhe me mënyrën e komunikimit e cila për një target grup të caktuar kërkon mjete të caktuara didaktike të cilat në sistemin tonë arsimor nuk janë parashikuar të konvertueshme on linë. Mësimi on linë në botë nuk është një proces as i ri e as i panjohur. Shumë individë janë diplomuar on linë. Por tek ne ky është vetëm fillimi. Këtë proces e vështirëson edhe situata e përgjithshme, ankthi, frika dhe rëndesa psikologjike. Por ndërsa tashmë kjo gjë ka filluar, le të jemi aktivë e të punojmë për ta bërë sa më mirë.

Si e keni parë ju formimin dhe gadishmërinë e nxënësve, a do të mund të përfitojnë nga kjo mundësi e të mësuarit on linë?

-Nuk mendoj se në këto kushte kemi komoditetin të zgjedhim. Kjo është situatë kritike dhe ndërgjegjësimi i komunitetit të mësuesve, prindërve dhe  nxënësve përbën çelësin e fitores së kësaj beteje. Pavarësisht kësaj, mendoj se mësuesit nuk kanë qenë të përgatitur për një situatë të tillë. Për fat të keq një pjesë e tyre (dua të besoj që është një pjesë e vogël) nuk kanë marrëdhënie optimale me teknologjinë. Por në një situatë si kjo që po kalojmë, njeriu arrin të përshtatet dhe të mësojë. Ky është rasti më i mirë për të përshpejtuar edhe mësuesit njohjet e tyre, por edhe për të matur përgjegjshmërinë e nxënësit tonë, i cili për fat të keq, ishte dembelosur ca.

Nuk duhet të lemë mënjanë edhe nismën e TVSH i cili po realizon mësime direkte në TV. Mua kjo më duket një iniciativë që duhet përgëzuar sepse kompenson pjesën e mësuesve dhe nxënësve që nuk arrijnë të jenë në një linjë me procesin virtual të mësimdhënies. E rëndësishme është që mësuesit që marrin përsipër të komunikojnë në TV apo on linë me një numër të madh nxënësish, të jenë cilësorë e të përgjegjshëm për misionin që kanë ndërmarrë. Këtu mendoj që filtrat e Ministrisë së Arsimit duhet të jenë të kujdesshëm dhe krejtësisht jopartiakë.

Maturantët janë të përfshirë në një sërë ndryshimesh, e përveç këtyre kanë dy ndërprerje të procesit mësimor, e para për shkak të tërmetit ndërsa tani për shkak të virusit. Cilat janë këshillat tuaja për ta?

-Jo vetëm maturantët, por edhe studentët u ndodhën këtë vit akademik para të papriturave të pakëndshme. Për maturantët do të sugjeroja së pari punën individuale me tekstet shkollore bazë. Librat i kanë dhe mund të punojnë me to.

Ndërkohë që jam shumë skeptike për një tekst që ka nxjerrë së fundmi MASH me teste të Maturës Shtetërore në vite. Ky tekst nuk u vlen nxënësve për dy arsye: së pari sepse ai i përket një tjetër kurrikule ku nuk ishte e përfshirë gjuha. Së dyti formati i atij testi i çorienton nxënësit, sepse është larg formatit të testit të fundit të Maturës Shtetërore, i cili u promovua në Maturën 2019.

Por në treg ka disa tekste që bëjnë analiza të bukura e të mirëfillta stilistike të veprave të Maturës Shtetërore, të cilat janë gjithashtu të paisura edhe me ushtrime gjuhe. Mund t`i përdorin ato sepse janë vërtetë shumë efikasë.

Ndërkohë do të gjeja këtu rastin të tërhiqja vëmendjen MAS sepse librat për të cilat po flas nuk janë të çertifikuar, madje zyrtarisht ato nuk lejohen të punohen në orët mësimore. Ministria për arsye sa kurrikulare aq edhe jo kurrikulare u ka bërë bllok këtyre teksteve, ndërkohë që ja sot, në vetë po i orientojmë nxënësit drejt tyre. Pra duhej një punë më largpamëse me disa materiale shtesë që duhet të qarkullojnë detyrimisht nëpër shkollat tona.

Si mësuese dhe si pedagoge, çfarë mesazhi do të përcillnit sot?

-Të japësh mesazhe në ditë të tilla është përgjegjësi shumë e madhe, sepse edhe unë jam pjesë e frikës, ankthit, pasigurisë. Por gjithsesi, unë besoj se njerëzimi herë pas here i ndodhur para situatave të tilla gati luftarake, ia ka dalë. Kështu që edhe këtë herë njeriu do ia dalë. Përballë virusit të padukshëm dhe të pabesë është njeriu me armën e tij të fortë, mendjen. Këtë duhet të besojmë të gjithë. Edhe nxënësit, edhe studentët. Do ia dalim. Por, kujdes. Lani duart, e rrini në shtëpi. Hemingueji mbyllte me çelës tërë dhomat e korridoret që të shpinin tek dhoma e fundit ku ai, krejt i vetëm do të shkruante kryeveprën sui generis, nobelin Plaku dhe deti, e cila pohonte fuqishëm ngadhënjimin e njeriut.