Saturday , February 27 2021

Shkon në 42 numri i personave të prekur me koronavirus në Shqipëri! 2 mjekë të Sanatoriumit të infektuar

4 raste të reja janë regjistruar në 24 orët e fundit me koronavirus në Shqipëri, dy prej të cilave janë 2 mjekë të spitalit “Shefqet Ndroqi”, duke e çuar në total në 42 numrin e të infektuarve. Dy mjekët e Sanatoriumit kanë pasur kontakt me një nga të infektuarit që ka qenë i shtruar në godinën e këtij spitali, i cili më herët ishte planifikuar që të shndërrohej në karantinë. Referuar njoftimit zyrtar të ministrisë së Shëndetësisë, mjekët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëizoluar. Lajme jo të mira vijnë nga Infektivi ku 3 nga 17 pacientët e shtruar janë në terapi intensive, më konkretisht një 66 vjeçar nga Lushnja dhe një 61-vjeçare nga Fieri dhe një 50 vjeçar nga Tirana.

Ministria e shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të mos e mbajnë të fshehtë faktin që kanë udhëtuar në zonat e prekura, të vetëizolohen në shtëpi dhe të shmangin kontaktet me personat e tjera, duke ndihmuar që të mos ketë një bilanc më të rënduar të shqiptarëve me koronavirus, por edhe për të mbrojtur mjekët.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë qytetarëve: Ju lutemi të gjithë qytetarëve që paraqiten në spitale dhe familjarëve të tyre. Njoftoni personelin shëndetësor nëse keni udhëtuar jashtë vendit. Njoftoni personelin shëndetësor nëse keni një familjar ose të afërt që ka udhëtuar jashtë vendit. Njoftoni nëse keni patur kontakt me persona që kanë udhëtuar apo kanë shenja të sëmundjes. MOS vizitoni të afërmit në spitale sepse shkaktoni rrezik edhe për personelin shëndetësor. Ju lutem bashkëpunoni me mjekët dhe me autoritete. SOT ËSHTË DETYRIM që ne të mbrojmë personelin shëndetësor duke treguar ndërgjegje të lartë në raport me të vërtetën, atë që secili prej nesh duhet të bëjë: Shmangni vajtjet direkte në spitale”, bën thirrje ministria e Shëndetësisë.

Nga ana tjetër, gjatë 24 orëve të fundit ka pasur një rritje edhe të numrit të telefonatave në numrin e urgjencës ‘127’, ku nga 7247 thirrje, prej tyre 4468 me kodin ‘korona’.

Numri i të infektuarve me koronavirus në shtëpi
Tiranë 26 raste
Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)
Lushnje 2 rast
Elbasan 2 raste
Fier 5 raste
Rrogozhinë 2 raste

B.K./Shqiptarja.com