Thursday , March 4 2021

Shkon në 51 numri i personave të prekur me koronavirus në Shqipëri! 3 infermierë dhe 1 mjek te Sanatoriumi të infektuar

– 9 raste të reja janë konfirmuar me koronavirus në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit, (51 në total) ndërkohë që nuk ka një zgjerim të hartës së qyteteve të prekura. Mirëpo teksa nga njëra anë ka shifra disi optimiste sa i përket pacientëve të infektuar, bilanci është negativ për mjekët. Në total 7 persona të stafit mjekësor kanë rezultuar pozitiv. Sot janë shtuar 4 raste të reja, 3 infermierë dhe 1 mjek në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, përveç dy rasteve të djeshme dhe atij në Durrës. Ashtu si kurse është raportuar më herët, ky virus u transmetua tek mjekët e Sanatoriumit nga një vizitor i “papërgjegjshëm” i cili ua kishte mbajtur të fshehtë personelit që kishte qenë në Itali vetëm disa ditë më parë.

Gjendja shëndetësore e mjekëve është e mirë, njofton zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli në njoftimin e saj të përditshëm për mediat. 

“Në vijim të hetimit të hollësishëm epidemilologjik të filluar ditën e djeshme në spitalin “Shefqet Ndroqi”, kanë dalë pozitiv edhe 4 raste personel shëndetësor (një mjek dhe 3 infermierë) të cilët kanë qenë në kontakt me pacientin, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin infektiv dhe që, më herët ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.  Siç ju kemi njoftuar, nga gjurmimi i kryer, ky pacient është vizituar në spital nga një i afërm që vinte nga Italia, dhe që nuk e ka dhënë këtë informacion tek stafet mjekësore. Personeli është në gjendje të mirë shëndetësore, pa simptoma dhe i vetëkarantinuar. Instituti i Shëndetit Publik po vazhdon pa u ndalur hetimi epidemiologjik dhe testimi i rasteve të dyshuara”, njofton ministria e Shëndetësisë.

20 janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri, Lushnja dhe Rrogozhina),  tre qytetarë janë në terapi intesive, njëri prej të cilëve në respiracion të drejtuar ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Në total janë 563 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me koronavirus 51 raste, ndërkohë që apeli shkon për qytetarët që të mos mbajnë të fshehtë nëse kanë qenë në Itali, të vetëizolohen dhe të respektojnë rregullat e rekomanduara nga Ministria dhe OBSH.

“Nisur nga sa ju informuam, dua të përsëris edhe një herë thirrjen për qytetarët: Telefononi në numrin 127!  Jepuni informacion të hollësishëm stafeve mjekësore!  Nëse mbani të fshehtë informacionin e lëvizjeve tuaja nga personeli shëndetësor, rrezikoni të infektoni personelin dhe të afërmit tuaj. Sot është detyrim që të mbrojmë personelin shëndetësor. Ju lutem qytetarë: Shmangni vajtjet direkte në spitale. Qëndroni në shtëpi!  Respektoni rregullat e reja!  Një thirrje sidomos për të moshuarit mbi 70 vjeç: Ju lutem mos dilni nga shtëpitë!, thotë Rakacolli. 

Harta e qyteteve të prekura me koronavirus
Tiranë 34 raste
Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)
Lushnje 2 rast
Elbasan 2 raste
Fier 6 raste
Rrogozhinë 2 raste