Wednesday , April 21 2021

Miratohet kontrata me Italdruri Elbasan për Zonën Teknologjike, investim 8 milionë euro, 200 vende pune

Ministria e Financave ka nënshkruar kontratën me kompaninë Italdruri Elbasan që synon ndërtimin, zhvillimin, mirëmbajtjen dhe operimin e zonës së teknologjisë dhe zhvillimin ekonomik në Elbasan. Sipas kontratës, së publikuar në Fletoren Zyrtare, zhvilluesi, është pronar i sipërfaqeve të truallit dhe godinave, sipas dokumentacionit të provuar të titullit të pronësisë, ku do të zhvillohet Zona Teknologjike dhe e Zhvillimit Ekonomik Elbasan. Zhvilluesi, zotëron kapacitetet dhe aftësitë tekniko-financiare për projektimin, financimin, ndërtimin, zhvillimin, mirëmbajtjen dhe operimin e Zonës së Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik Elbasan.

Në përputhje me Ofertën e Zhvilluesit, vlera e investimit dhe ri investimit për realizimin e Projektit do të jetë 8 milionë Euro. Institucioni Përgjegjës ka të drejtë të monitorojë përmbushjen e vlerës së investimit dhe ri investimit në kohë sipas projektit, në përputhje me kushtet e parashikuara në këtë Kontratë.

Në përputhje me Ofertën e Zhvilluesit, Zhvilluesi duhet të sigurojë hapjen e të paktën 200 vende pune. Ai është përgjegjës që çdo vit kalendarik t’i paraqesë Institucionit Përgjegjës numrin e punonjësve si dhe vërtetimin përkatës nga sigurimet shoqërore. Kodi i Punës zbatohet në tërësinë e tij për marrëdhëniet e punës në zone.

Kompania është krijuar që në vitin 1993. Sipas ekstraktit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, objekti i saj është Prodhim dhe tregtim i gjysëmprodukte dhe produkte të përfunduara prej druri, si dërrasë, elemente, parket pjesë për karrige, mobilie e pjesë të tyre dhe gjithçka që lidhet me drurin. 18% e saj zotërohen nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe pjesa tjetër nga Aja Investments. Sipas të dhënve në bilanc, në 2018-n, kompania kishte aktivitet minimal, me 2 milionë lekë të ardhura por ajo zotëron toka dhe ndërtesa me vlerë rreth 5.5 milionë euro, ndërsa ka një kapital prej 3.4 milionë euro.

Zona teknologjike

Këshilli i Ministrave miratoi në nëntor 2019 “shpalljen e zonës teknologjike dhe zhvillimit ekonomik dhe të zhvilluesit të zonës me vendodhje në Elbasan”, me zhvillues “Ital-Druri”, sh.p.k.

 “Zona e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” të territorit ka një sipërfaqe 241 818 m2 dhe objekte ndërtimore 54 022.6  m2, pjesë e zonës kadastrale nr.8523, në Elbasan

Veprimtaritë që do të zhvillohen në këtë zonë janë të llojeve:

a) prodhuese, industriale dhe agropërpunimi;

b) përpunimi dhe magazinim mallrash;

c) tregtare eksport-import;

ç) shërbime.

Periudha e funksionimit të zonës është 35 (tridhjetë e pesë) vjet, me të drejtë përsëritjeje deri në 99 (nëntëdhjetë e nëntë) vjet./monitor