Wednesday , April 21 2021

Shkon në katër numri i personave që humbin jetën nga Covid-19 në Shqipëri.

Gjatë mëngjesit të sotëm ndërroi jetë një pacient 43-vjeçar i shtruar në spitalin Infektiv, i konfirmuar me COVID-19, i cili ndodhej në terapi intensive, duke shënuar viktimën e katërt të prekur nga COVID-19 në Shqipëri.

Pas rëndimit të gjendjes së tij shëndetësore gjatë mbrëmjes, 43-vjeçari nga Kavaja është vendosur në frymëmarrje të drejtuar (respirator) për disa orë, por pavarësisht përpjekjes së mjekëve, nuk ka mundur të mbijetojë. 43-vjeçari nga Kavaja, përpos obezitetit nuk kishte sëmundje bashkëshoqëruese.

Ministria e Shëndetësisë në një reagim për mediat, “i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe apelon dhe një herë qytetarët të respektojnë me shumë rigorozitet rregullat e distancimit social dhe të telefonojnë 127 në rast se kanë shenja të sëmundjes”.

Mbrëmë ndërroi jetë në spitalin Infektiv në QSUT një 71-vjeçar nga Kuçova i infektuar me koronavirus. I trajtuar më herët në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, prej 7 ditësh ai ishte shtruar në spitalin Infektiv pasi u infektua edhe me koronavirus, nuk bënte pjesë tek 4 pacientët që ishin në terapi intensive, por gjatë mbrëmjes pati një komplikacion të menjëhershëm kardiak arterial, që i mori jetën. 71-vjeçari sipas ministrisë së Shëndetësisë, vuante nga disa sëmundje shoqëruese, kanceri në mushkëri, në stad tejet të avancuar, diabeti mellitus, fibrilacioni arterial dhe hipertensioni.