Tuesday , March 9 2021

“Më ngjiti koronavirusin”, infermieri italian mbyt të dashurën pas tre vitesh bashkëjetesë

Një i ri në Itali ka mbytur ditën e djeshme të dashurën e tij, Lorena Quaranta. Ngjarja e rëndë ndodhi në Furci Siculo të Mesinës. Autori i ngjarjes, Antonio De Pace, u shpreh para hetuesve, se e dashura i kishte ngjitur koronavirusin prandaj e vrau. “Më ngjiti koronavirusin dhe e vrava”, u shpreh i riu para hetuesve.

Menjëherë autorit dhe viktimës iu morën tamponët dhe sot në mëngjes dolën përgjigjët, të dy negativ. Vrasja ndodhi në apartamentin ku të rinjtë bashkëjetonin prej tre vitesh. Pasi e mbyti të dashurën 27-vjeçare, i riu i cili ishte diplomuar në mjekësi preu damarët, në tentativë për t’u vetëvrarë.

Ai është shfaqur konfuz në dëshmitë e tij, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e rrethanave reale të ngjarjes, pas përgjigjes negative të testeve. Infermieri kalabrez nuk kishte shfaqur më parë sjellje të dhunshme, as verbale e as fizike. Miqtë dhe familjarë u shprehën se çifti ishte i ekuilibruar dhe i qetë.

Ata nuk ishin zënë kurrë në publik dhe nuk kishin shfaqur asnjë gjest të dyshimtë. Të rinjtë ishin takuar në poliklinikën e Mesinës, ku Lorena zhvillonte praktikën. Pas diplomimit ajo dëshironte që të specializohej për pediatri. Kolegët e përshkruajnë Lorenën si një person të qeshur dhe solar.

Lorena e kishte shumë përzemër profesionin e saj të ardhshëm, saqë gushtin e shkuar përpara se të përhapej epidemia e koronavirusit, ajo kishte postuar në Facebook një foto me këmishën dhe maskën e mjekut, ndërsa e kishte shoqëruar me mbishkrimin “Vendi im”