Sunday , February 28 2021

Si u përhap Covid-19 në 24 orë: Elbasani e Korça, dy vatra të rrezikshme

Vetëm 6 pacientë të rinj me Covid-19 janë identifikuar në 24 orët e fundit, duke shënuar ditën me më pak pacientë të rinj që prej 21 marsit.

Ulja është e ndjeshme, veçanërisht me të dhënat e javës së fundit, ku çdo ditë ka pasur 16-29 raste të reja.

ISHP njoftoi sot se në 24 orë janë bërë 182 teste dhe vetëm 6 kanë dalë positive.

Shpërndarja e tyre është:

4 në Tiranë, duke e çuar totalin e të prekurve në 181,

1 në Elbasan, duke e çuar totalin e të prekurve në 11,

1 në Korçë, duke e çuar totalin e të prekurve në 17.

Elbasan

I infektuari i ri është një 46-vjeçar, pronar i një restoranti në Elbasan. Ai është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe është në spitalin Covid-2, në Sanatorium.

Dyshohet se ai ka lidhje me pacientin e 10 të infektuar në Elbasan, një kasap. Kjo vatër në Elbasan, po shikohet me kujdes nga epidemiologët, pasi dyshohet se shumica prej të infektuarve në Elbasan kanë vizituar restorantin.

Korçë

I infektuari i ri është punonjës në Drejtorinë e Kufirit. Ai dyshohet se është infektuar nga një koleg, i prekur me Covid-19 dhe identifikuar nga ISHP  një javë më parë.

Ky është rasti i parë në Korçë prej një jave. Por duket se periudha e gjatë e inkubimit të Covid-19 ka bërë që zinxhiri i infeksionit në Korçë të mos jetë shkëputur.

Tiranë

Për të infektuarit e rinj në Tiranë ende nuk ka informacion dhe nuk dihet nëse janë kontakte të rasteve të mëparshëm apo janë vatër e re.