Sunday , September 20 2020

Japonia i dhuron Shqipërisë ilaçin që mposht koronavirusin.

Japonia do t’i dhurojë Shqipërisë ilaçin që ajo ka zbuluar për përdorimin kundër koronavirusit. Lajmin e mirë e bëri të ditur ambasadori i Japonisë në Tiranë, Makoto Ito, i cili theksoi se vendi ynë është në listën e 20 shteteve që do të ndihmohet në këtë periudhë të vështirë ku Covid-19 ka gjunjëzuar pothuajse të gjithë botën.

Ambasadori tha se po bashkëpunohet dhe është në diskutime me qeverinë shqiptare, për të siguruar këtë ilaç edhe për Shqipërinë përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS). “Qeveria jonë ka vendosur që t’i sigurojë falas ilaçin “Avigan” në më shumë se 20 vendeve që duan të përdorin këtë medikament antigripal për të trajtuar pacientët me koronavirus ndërkohë që provat klinike vazhdojnë. Shqipëria është një ndër ato 20 vende të cilat do ta marrin këtë ilaç”, tha ambasadori në një intervistë për Report TV.

Ilaçi tregtohet nën emrin komercial Avigan, me emërtimin shkencor Faripiravir dhe konsiderohet si një mjet antivirus farmaceutik, që po përdoret kundër formave të reja të viruseve gripale, të panjohura më parë. Nisur nga suksesi që ka pasur në mposhtjen e kësaj sëmundje, edhe Italia e futi pjesë e protokollit shëndetësor në trajtimin e të sëmurëve të prekur nga Covid-19.