Saturday , May 30 2020

Shkoi në SHBA për të vizituar djalin student, humb jetën nga koronavirusi (DETAJE)

Ka humbur jetën në SHBA nga Covid-19, ish-specialisti i Këshillit të qarkut Lezhë, Agron Vraja. Ai kishte shkuar në  New York para dy muajsh tek djali i tij student. Pas infektimit nga virusi vɗekjeprurës Vraja fatkeqësisht nuk ka mundur t’i bëjë ballë kësaj beteje me COVID-19. Lajmi i hidhur është bërë me dije përmes rrjeteve sociale nga miqtë e tij të cilët kanë shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të Vrajës, para kohe. 

Infektimi nga koronavirusi bëri që Vraja të mos e shijonte deri në fund vizitën tek djali i tij në SHBA. Kujtojmë që numri i shqiptarëve që kanë humbur jetën jashtë Shqipërisë është rritur ndjeshëm, ku edhe humbja e Vrajës shton më shumë  listën e shqiptarëve që kanë humbur jetën në Amerikë. Katër  ditë më parë humbi jetën si shkak i virusit  në Amerikë edhe ish- mësuesi 86-vjeçar shqiptar nga Sinica e Devollit, Jani Depo. Depo jetonte prej 20 vitesh me familjen e tij në Çikago.

SHBA deri më tani është vendi më i prekur në  botë nga koronavirusi, ku përveç numrit të lartë të të infktuarëve, tashmë ia ka kaluar edhe Italisë për  numrin e jetëve të humbura, duke u bërë vendi  më i goditur në botë. Aktualisht  në SHBA kanë humbur jetën 22,115 persona dhe 560,433 të tjerë janë të infektuar.