Tuesday , May 26 2020

Hapet tregu i fruta perimeve në Elbasan, Llatja: Ju kërkoj ndjesë por ishim të detyruar

Kryetari i Bashkisë Z. Llatja së bashku me prefektin e qarkut Z. Maksim Malaj inspektuan funksionimin e tregut të fruta perimeve që nisi funksionimi i tij. Ky treg u mbyll një muaj më parë në kuadër të masave të marra kundër përhapjes së covid 19. Gjatë kësaj kohe bashkia punoi për krijimin e kushteve të higjienës për hapjen e tregut.

Kryetari i Bashkisë teksa verifikoi zbatimin e rregullave të reja në këtë treg bisedoi edhe me tregtarët. Z. Llatja kërkoi ndjesë për masat ekstreme të cilat shkaktuan pezullimin e punës për pak kohë, por e gjitha kjo, tha ai, është bërë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve dhe vetë tregtarëve.

Por si funksionon tashmë ky treg?

Tregu funksionon me një hyrje dhe një dalje të ndara nga njëra-tjetra dhe me sinjalistikë të përcaktuar sipas drejtimit të lëvizjes.

Policia bashkiake nuk lejon hyrjen e klientëve pa maska dhe doreza. Më pas një aparaturë bën dezinfektimin e të gjithë trupit. Në brendësi janë të përcaktuara largësia e klientëve dhe largësia e tregtarëve nga njëri tjetri.

Çdo ditë pas mbylljes tregu do të dezinfektohet i gjithi.

Kryetari njoftoi gjithashtu edhe rihapjen e tregjeve në lagje, edhe këto në kushte sigurie.