Sunday , September 20 2020

PD plan me 5 pika për masat lehtësuese ndaj COVID-19

Një ditë pas mbledhjes me strukturat e partisë, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dalë me një plan me 5 pika për masat lehtësuese të hartuara nga ekspertët e selisë blu. Ky plan, sipas demokratëve ka ardhur si pasojë e mungesës së strategjive të qarta nga ana e qeverisë, për këtë arsye i bëjnë thirrje kryeministrit Edi Rama që të mos kompleksohet, por t’i pranojë këto propozime.

“Në këto momente shumë të rëndësishme dhe po aq delikate kur po flitet per hapat drejt një procesi “hapjeje” të dëshiruar nga të gjithë, fatkeqësisht, nga ana e Qeverisë vazhdon mungesa e një strategjie të qartë dhe plani masash transparente në ketë drejtim. Për këtë arsye i bëjmë thirrje qeverisë të marrë parasysh propozimin tonë për planin e masave te domosdoshme qe duhen të merren në rrugën drejt daljes izolimi, të cilat u bënë publike nga Kryetari Basha nëpërmjet Planit me 5 pika.

Duke falenderuar edhe një herë për mbështetjen SHBA dhe BE që edhe në përgjigje të thirrjeve të opozitës për ndihmë për të rritur tëstimet në vendin tonë, ne jemi shumë të shqetësuar që: testimet realizohen në vetëm ne një laborator hermetik, pa asnjë mundësi për check tjeter dhe depistim të gjerë të popullsisë, kur në Shqipëri gjenden edhe së paku 10 qendra të tjera që mund ta realizojnë këtë.

Vazhdon një konfuzion i plotë per testimet imunologjike, duke u tentuar që dhe kjo të realizohet vetëm në QSUT, kur kapacitetet për të tilla ekzaminime i kanë shumë laboratorë në vend. Po ashtu, nuk ka asnjë transparencë se cila metodë laboratorike po përdoret: ELISA, Chemiluminisence apo Imunokromatografia. Mjeku i familjes vazhdon të jetë i pambrojtur e jashtë funksioneve të tij, gjë që ul kapacitetet identifikuese e mjekuese të sistemit shëndetësor. Kurba e shifrave të infektimit tek ne është unike sepse ajo është e bazuar mbi testime të pamjaftueshme, që janë më të ulëtat në rajon.

Në kushtet kur mungojnë të dhënat e gjera e të besueshme rrezikohet rëndë i gjithë procesi i “hapjes”. Hapja në vendet e zhvilluara, megjithë numrin e lartë të testimeve të deritanishme, po shoqërohet me një rritje eksponenciale të testimeve virusologjike, psh Gjermania po kalon në 5 milionë në javë, Italia në 1 për 45 banorë etj, si dhe me një impenjim për një depistim masiv imunologjik, gjë për të cilën po aktivizojnë edhe laboratorët veterinarë.

Prandaj, qëndrimi ynë është i qartë, “hapja” duhet të fillojë të implementohet, e bazuar në një plan dhe një strategji, e cila merr parasysh gjithë kapacitetet e vendit dhe është transparente dhe e kuptueshme për të gjithë. Të mos harrojmë që për këtë na duhet bashkëpunimi i të gjithë qytetarëve, sepse pa sakrificën dhe rolin e tyre nuk mund të zbatohet me sukses asnjë masë.

Kyeministri nuk ka pse  kompleksohet nga propozimet e PD-së, sepse ai ka treguar se është i paaftë për të menaxhuar krizën dhe se nuk ka asnjë plan, por vetëm propozime sporadike. Shëndetësia është sot në këtë situatë, si pasojë e abuzimit, vjedhjes dhe paaftesisë për të menaxhuar sistemin dhe financat publike për vite me radhë nën qeverisjen socialiste.

Prandaj, sot eshte koha që qeveria të marrë propozimet e PD dhe t’i zbatojë ato, sespe ato janë në të mirën e qytetareve. Duhet pa humbur kohë të merren këto masa shëndetësore të cilat janë të domosdoshme në periudhën që i paraprin hapjes:

1. Rritje të numrit të testimeve: test, test, test, identifikim, izolim e mjekim të çdo rasti. Kërkim të gjerë virusologjik e depistim imunologjik, duke mobilizuar të gjitha kapacitetet laboratorike, me rimbursim për qytetarët. Ndërkaq duhet përgatitur dhe për aplikimin e ekzaminimeve virusologjike mobile e të shpejta.

2. Pajisja masive gratis me maska të qytetareve, për të mundësuar mbajtjen e tyre në ambjentet publike, duke i paraprirë kështu “hapjes”. Aktivizimi i plotë i mjekut të familjes, duke siguruar më parë mbrojtjen, pajisjen profesionale e logjistike të tij me instruktim të qartë.

3. Konsolidimin e strukturave mjekuese në nivel vendi, për t’i bërë ballë një rishpërthimi të mundshëm të ri gjatë procesit të “hapjes”, ashtu si po veprohet në vendet e tjera, duke mos ngelur sërish të papërgatitur për të nesërmen

4. Nga ana organizative të kalohet në një proces decentralizimi, duke deleguar kompetenca ne nivelet e 12 qarqeve, që nga ana e tyre duhet t’i shperndajnë më poshtë, për të shfrytëzuar kështu të gjitha kapacitetet dhe arritur të shkohet në çdo banesë e kontaktuar çdo individ.

5. Rritje e menjëhershme e buxhetit nga Qeveria në mbështetje të këtyre masave të domosdoshme dhe shumë të vonuara”, njofton PD.