Wednesday , September 23 2020

Librazhdi i paprekur me koronavirus, Gurra jep lajmin e mirë

Librazhdi është një nga qytetet e përfshira në “zonën e gjelbër” pasi deri më tani nuk ka asnjë rast të evidentuar me COVID-19. Ndaj, nga kjo e hënë, edhe jeta në qytet është gjallëruar, ku ka filluar edhe një lëvizje më e madhe. Në një intervistë për tirananews.al, Kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra ka shpjeguar gjithë masat e marra nga institucioni që ai drejton në mënyrë që lehtësimi të mos kthehet në bumerang.

Gurra jep një lajm të mirë dhe për të gjithë bizneset e qytetit të Librazhdit të cilët do të kenë lehtësim ndaj detyrimeve që kanë ndaj Bashkisë. Ai nënvizon se Bashkia do të marrë disa masa me anë të Këshillit bashkiak për të lehtësuar taksat që paguhen në bashki për periudhën kur këto biznese nuk kanë funksionuar.

Kreu i Bashkisë sqaron se arsyeja që një gjë nuk është bërë ende deri më tani, lidhet me situatën e cila po vijon ende, por në momentin që kjo do të ndërpritet, do të hidhen dhe hapat e duhur për të lehtësuar barrën financiare të biznesit të vogël. Gurra thekson se falë edhe solidaritetit të bizneseve, është arritur mbulimi me ndihma ushqimore për familjet në nevojë në të gjithë territorin.