Wednesday , May 27 2020

“Skenari francez” në futbollin shqiptar? Çfarë do të ndodhte me Elbasanin

Futbolli është në dorë të specialistëve të shëndetësisë. Mirëpo, nëse në Europë, Gjermani, Francë e Itali janë autoritetet që kanë vlerësuar, diskutuar dhe vendosur konkretisht çfarë duhet bërë për sportin, në vendin tonë deri më tani Ministria e Shëndetësisë nuk ka menduar ende asgjë për këtë kategori.

Në Shqipëri ende nuk ka asnjë vendim për futbollin, ndonëse bëhet fjalë për një sektor që prek një kategori të caktuar njerëzish, ku janë afro 30 mijë të punësuar. Së fundmi, është hedhur ideja e “skenarit francez” edhe në vendin tonë, me kampionatin që duhet të mbyllet pa përfunduar sezoni.

Nëse një skenar i tillë ndodh edhe në Shqipëri, atëherë Tirana shpallet kampione pa u mbyllur sezoni dhe më pas të gjitha skuadrat në bazë të renditjes aktuale do të zbatonin verdiktet në tavolinë. I penalizuar është sigurisht klubi i futbollit të Elbasanit, sepse do të zbriste në Kategorinë e Dytë, ende pa u mbyllur kampionati.

Verdheblutë janë të fundit në klasifikimin e Grupit B, ndërsa Turbina e Cërrikut e parafundit dhe të dyja këto skuadra do të duhej të zbrisnin një kategori më poshtë. Ky skenar “ogurzi’ do të bënte që të gjitha skuadrat e Qarkut të Elbasanit të ishin pjesën e Kategorisë së Dytë sezonin e ardhshëm dhe asnjë klub të mos bënte pjesë në futbollin profesionist.

Me pak fjalë, “skenari francez” mund ta zhdukë nga harta futbollin në qarkun e Elbasanit dhe për herë të parë në historinë gati një shekullore, të gjitha ekipet do të ishin pjesë e Kategorisë së Dytë. Megjithatë, edhe nëse ky skenar nuk do të vihet në jetë, sërish ekipet e Elbasanit dhe Turbinës do të ishin më të rrezikuarat të binin nga kategoria.