Saturday , February 27 2021

Rikonstruktohen konviktet në Elbasan, nuk ishte vënë dorë që prej ndërtimit në vitet ’70

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja inspektuan sot punimet që po kryhen për rikonstruksionin e Qendrës së Trajtimit të Studentëve në Elbasan, godinat e së cilës ishin krejtësisht të amortizuara dhe jashtë kushteve për akomodim të studentëve. Punimet po kryhen në kuadër të Paktit për Universitetin dhe janë një bashkëpunim i bashkisë së Elbasanit me Qeverinë Shqiptare dhe me mbështetjen e Qeverisë turke, përmes projektit TIKA.

Në fjalën e tij, Balla tha që prej ndërtimit të këtyre godinave në vitet ’70, nuk ishte vënë dorë dhe rikonstruksioni ishte domosdoshmëri. Balla tha gjithashtu se konviktet tashmë kalojnë në menaxhim të Bashkisë së Elbasanit, e cila ka vizionin e saj për të tërhequr më shumë studentë në universitetin “Aleksandër Xhuvani”.

“Bashkia e Elbasanit në bashkëpunim me qeverinë po implementon projektet në kuadër të Paktit për Universitetin. Qeveria ka vendosur që konviktet t’i kalojnë në administrim të bashkive. Ky konvikt, 18 muaj më parë ishte në një gjendje tejet të amortizuar që kur ishte ndërtuar në vitet ’70″, tha Balla.

Ndërkohë, Balla tha se “sot kjo është një godinë tërësisht moderne, me 80 dhoma të nivelit të një hoteli dhe 160 studentët e parë do të kenë mundësi të akomodohen në fillim të vitit të ri akademik. Plani ynë deri në përfundim të këtij projekti është të akomodojmë 500-600 studentë.

Kalimi i këtyre godinave në administrim të Bashkisë Elbasan padyshim ka rritur shpenzimet e kësaj të fundit, por Elbasani arsimin e ka pjesë të AND-së së tij.”, deklaroi Balla.

Ndërsa kryebashkiaku Llatja në fjalën e tij tha se pjesë e rikonstruksionit do të jenë gjithashtu ambientet sportive, mensat dhe biblioteka. “Është bërë çdo gjë e re, duke nisur që nga instalimet elektrike e hidraulike, sistemi antizjarr, dyer dritare po ashtu. Kanë mbetur vetëm muret, edhe këto janë suvatuar me sistemin kapot për të siguruar eficencën e energjisë. Është vizioni ynë të rrisin numrin e studentëve të Universitetit të Elbasanit, pasi vitet e fundit është vënë re një rënie, kjo edhe për shkak të kushteve akomoduese të këtij konvikti”, tha Llatja.

Tashmë godina e parë, e cila do të akomodojë 160 studentë në dhoma dyshe, po shkon drejt përfundimit, në kushte bashkëkohore të infrastrukturës. Me përfundimin e rikonstruksionit të të gjitha godinave kapaciteti akomodues në Qendrën e Trajtimit të Studentëve do të arrijë në 500-600 studentë.