Friday , September 18 2020

Covid-19 në Elbasan, ritestohen dy persona. Rezultati

Gjatë 24 orëve të fundit Drejtoria e Kujdesit Shëndetësor Parësor në Elbasan ka bërë dy ritestime në persona të cilët në tamponin e parë kanë rezultuar negative. Për fat të mirë, edhe në këto ritestime, të dyshuarit kanë rezultuar negativë. Pas dy muajsh Elbasani vijon të mbetet e vetmja bashki në rang Qarku me raste të konfirmuara pozitiv me koronavirus. Aktualisht janë ende 2 persona, të cilët po luftojnë me Covid-19, ndërkohë që 18 të tjerë të prekur më parë e kanë kaluar këtë sëmundje dhe janë shëruar.

Testet e bëra më parë në dy bashkitë e Belshit dhe të Gramshit kanë rezultuar negative dhe ato nuk janë prekur nga Coronavirus. Ndërsa bashkitë e Peqinit, Cërrikut, Librazhdit dhe Prrenjasit, përgjatë dy muajve nuk kanë pasur asnjë rast të dyshuar me Covid-19 për këtë arsye përfituan masa lehtësuese më parë bashkia e Librazhdit dhe ajo e Prrenjasit.

Që nga rasti i parë me Covid në vendin tonë dhe në Elbasan, duhet thënë se situata nuk ka dalë asnjëherë jashtë kontrollit, kjo edhe për shkak të masave të marra nga institucionet, por edhe nga vetë qytetarët. Ndaj, në këte aspekt, mund të thuhet se qarku i Elbasanit meriton vlerësim për përballimin e situatës pa pasoja./elbasaninews