Tuesday , May 26 2020

Deri kur do ta ushtrojnë aktivitetin me orar të reduktuar baret dhe restorantet?- e thotë ministrja

Nga dita e hënë (18 maj) do të rihapen baret dhe restorantet. Për shkak se konsiderohen me rreziksshmëri të lartë për përhapjen e COVID-19, ato do të mund ta ushtrojnë aktivitetin e tyre vetëm në ambientet e jashtme dhe jo më vonë se ora 17:30. Por deri kur do të mund të qëndrojnë hapur deri në këtë fashë orare?

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj ka thënë sot në emisionin “Abc-ja e Mëngjesit” se zgjatja e fashës orare për baret dhe restorantet do të vendoset në fund të muajit në varësi të shifrave të rasteve të reja me koronavirus. “Ky 10 ditësh duhet të jetë në favor të biznesit për t’u bërë gati. Vendimmarrja për orarin deri në 17:00 nuk do të jetë e vazhdueshme, por për të parë ecurinë dhe mund të ndryshojë brenda dy javësh në varësi të shifrave. Nëse deri në fund të muajit edhe me hapjen e restoranteve nuk kemi rritje të shifrave, besoj se lehtësimi do jetë edhe më i zgjeruar”, -tha Denaj.

Ministrja shtoi se biznesi nuk do të jetë si ka qenë dhe kjo situatë nuk është vetëm në Shqipëri.