Sunday , September 27 2020

Rritje drastike e rasteve të infektuarve me Covid 19 në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë ka dalë në deklaratën e saj të përditshme për të informuar në lidhje me rastet e reja dhe situatën epidemiologjike në vend. Është bërë me dije se situata epidemiologjike në vend, parvarësisht numrit të lartë të të prekurve paraqitet e qëndrueshme mbeshtetur në identifikimin e rasteve të deritanishme dhe gjurmimin epidemiologjik në mënyrë aktive.

Në 24 orët të fundit janë testuar 191 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 18 qytetarë. Pjesa më e madhe e tyre janë kontake të rasteve të mëparshme, ndërkohë që vazhdon hetimi epidemiologjik në terren. Rastet e 24 orëve të fundit janë të shpërndara si vijon: 11 raste në Tiranë, 4 në Krujë, 2 në Berat dhe 1 në Durrës. Të shëruar janë 6 qytetarë.

Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 898 qytetarë, ndërsa 77% e të prekurve tashmë janë të shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 173 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz. Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh. Aktualisht në dy spitalet COVID janë të shtruar 19 pacientë dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive.

Rastet e sotme pozitive janë tregues se funksionimi i strategjisë së ri-hapjes dhe e lehtësimit të masave varet vetëm nga ju. Nëse ju do të tregoheni të përgjegjshëm duke respektuar distancimin fizik, të kombinuar me masat e higjienës respiratore dhe personale, të mos kryeni vizita tek të afërmit për çdo lloj arsye, bizneset të zbatojnë protokollet strikte, do të vijojmë me një situatë epidemiologjike nën kontroll.