Sunday , September 27 2020

U kthye në shpresë; Vëllai i Pëllumb Piperos rrëfen sakrificat e mjekut dhe bën falenderimin emocionues

“Dua të të bëj të lumtur” është rikthyer sot pér herë të parë në ekran, pas mbylljes nga pandemia. Ndonëse pa publikun të pranishëm, emocionet në studio kanë qenë të forta. I ftuar ishte Pëllumb Pipero, mjeku që na u dha shpresë të gjithëve përgjatë javëve të vështira. Vëllai i Piperos, Ganiu, e kishte ftuar doktorin për ta falenderuar për mbështetjen që i kishte dhënë familjes. Ai rrëfeu edhe pak nga historia e tyre dhe sakrificat e Pëllumbit, si vëllai i madh.

Nëna e Piperos është ndarë nga jeta në moshë të re, e vështirësitë e kanë shtyrë mjekun të punojë që në moshën 14-vjeçare. Por, kjo nuk e pengoi që të kryente me sukses studimet, për t’u kthyer sot në një nga figurat e shpresës në kohën e pandemisë.

Dy muaj pa u takuar, Ganiu i ka shprehur mirënjohje të vëllait për punën e palodhur jo vetëm të tij, por të të gjithë bluzave të bardha. Në këtë situatë të jashtëzakonshme heronjtë e vërtetë kanë qenë mjekët të cilët ndodhen në frontin e parë të “luftës” duke u kujdesur, kuruar pacientët e infektuar me COVID-19 dhe duke na këshilluar se si të mbrohemi nga ky armik i padukshëm.

Përpara se programi “Dua të të bëj të lumtur” të niste transmetimet, në rrjetet sociale kishte shpërndarë një pyetje se cilin nga figurat publike do të dëshironit që të bënit të lumtur dhe emri më i përmendur kishte qenë doktor Pëllumb Pipero.