Tuesday , May 26 2020

Ndodh edhe kështu në Elbasan/ Gjendja civile çregjistron të gjallën dhe jo të…

Një qytetar nga Elbasani, Hasan Duraku ankohet se gjendja civile e qytetit të Elbasanit nuk ka kryer çregjistrimin e nënës së tij e cila ka ndërruar jetë para 3 muajsh. Zoti Duraku shprehet se ai vetë mund të ketë probleme me shtetin në këtë situatë të krijuar . ”Unë kam frikë se përgjatë  kësaj kohe dikush mund të marrë pensionin e nënës time dhe problemet me shtetin bien mbi mua. Kam shkuar disa herë tek gjendja civile, por nuk kam marrë zgjidhje. Më thonë vetëm prit” shprehet z.Duraku.

Gazetarët e Fiks Fare shkojnë në zyrën e Gjendjes Civile Elbasan për të marrë një përgjigje për këtë problem. Përgjegjësi i zyrës Behar Tashi thotë për emisionin Fiks Fare se ka patur një problem me kartën e identitetit të zonjës e cila ka humbur jeten.

Të dhënat në kartën e indetitetit , emër, mbiemër dhe vendlindje ishin të njëjta me të një tjetër zonje që është gjallë, ndërkohë në kartën e identitetit ka patur dhe gabim në atësinë dhe amësinë e të dyja zonjave. Përgjegjësi i  zyrës civile z. Tashi tregon se nga ky gabim gjendja civile ka çregjistruar një person që është gjallë dhe personi që ka humbur jeten të jetë akoma në regjistër.” Këtë gabim e kuptuam kur kanë ardhur familjarët dhe janë ankuar, ndaj ne menjëherë këtë javë do bëhen ndryshimet e nevojshme” thotë z.Behar. Justifikimi i tij për vonesën është situata covid.

Gazetarët e Fiksit shkojnë gjithashtu në Institutin e Sigurimeve Shoqërore Elbasan  për të kuptuar nëse është tërhequr apo jo pensioni i të ndjerës. Përgjegjësja e zyrës së kontributeve shoqërore  thotë për Fiksin se që në muajin shkurt janë  bllokuar dhënia e pensioneve për të dyja shtetaset. Askush nuk ka tërhequr as pensionin e zonjës që është gjallë dhe është çregjistruar dhe as të zonjës se ndjere, por nuk është çregjistruar nga gjendja civile.

Ajo thotë se në momentin që gjendja civile do bëj ndryshimet përkatëse atëherë do bëhet e mundur dhënia e pensionit për zonjën që është gjallë dhe do marrë pagesën e çregjistrimit familjari i të ndjerës. Qytetari Hasan Duraku falenderoi emisionin Fiks Fare për zgjidhjen e problemit për të cilin endej zyrave të shtetit prej 3 muajsh. ” Po të mos ishit ju unë nuk do mund të gjeja zgjidhje” thotë z.Duraku gazetarëve.