Tuesday , May 26 2020

Shtohen rastet e reja me Covid 19. Rritet numri i pacientëve në Spitalin Infektiv

Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot se janë identifikuar 12 raste të reja me COVID-19 dhe numri i të prekurve nga fillimi i pandemisë në vend shkon në 981. Për më shumë se 3 javë nuk kemi humbje jete, ndërsa 79% e të prekurve tashmë janë të shëruar. Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik tha se kurba epidemike ka paraqitur qëndrueshmëri gjatë dy javëve të fundit, por me luhatje ditore përkundrejt rasteve të raportuara dhe të identifikuara nga shërbimi epidemiologjik.

Për më shumë se 3 javë nuk kemi humbje jete dhe ky është një indikator që tregon qëndrueshmërinë e këtij shpërthimi epidemik. Megjithatë, pas një situate të qëndrueshme dhe të stabilizuar të rasteve që kanë kërkuar shërbim spitalor, sot kemi një rritje të rasteve në spitalin infektiv. Aktualisht janë të shtruar 17 pacientë dhe 5 prej tyre janë në terapi intensive.

Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 174 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar pozitivë 12 raste. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 7 raste në Tiranë, 2 në Fier, 2 në Krujë dhe 1 në Durrës. Të shëruar janë 6 qytetarë.

Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 981 qytetarë. Prej tyre, rreth 79% janë të shëruar. Në vendin tonë aktualisht janë 173 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 14 mijë testime molekulare dhe serologjike. Deri tani janë mbi 1300 testime serologjike në personel shëndetësor dhe pacientë, me një pozitivitet të përgjithshëm rreth 8%.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar masat e vendosura. Nëse keni shenja të Covid19 telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon: Tiranë 58 Durrës 48 Krujë 31 Shkodër 10 Berat 10 Kamëz 9 Fier 4 Elbasan 1 Mirditë 1 Korçë 1