Thursday , July 9 2020

Mbi 1000 raste në vend, ja sa të infektuar pati sot me COVID

Numri i të infektuarve me COVID në Shqipëri që nga fillimi i muajit mars ka kaluar mbi një mijë. Sot janë shënuar 6 raste të reja duke e çuar numrin në total 1004, por fatmirësisht rreth 79% e të prekurve tashmë janë të shëruar. Në 24 orët e fundit janë 6 raste të reja me COVID, 4 raste janë në Tiranë dhe 2 në Shkodër, kryesisht kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, por edhe raste në proces hetimi epidemiologjik.

Situata në spitalin Infektiv paraqitet e qëndrueshme. Aktualisht po trajtohen 16 pacientë, ndërsa 4 prej tyre janë në terapi intensive. Nga fillimi i epidemisë sipas ISHP-së janë kryer mbi 14500 testime molekulare dhe serologjike. Në vendin tonë aktualisht janë 177 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë. Fatkeqësisht 32 qytetarë nuk e kanë fituar betejën me Covid19, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor.

Sipas ISHP-së kurba epidemike në Shqipëri ka qenë e butë dhe e qëndrueshme. “Hetimi i thelluar epidemiologjik ka treguar luhatje ditore të rasteve në dy javët e fundit” tha Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik.  Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienen vetjake.