Monday , March 8 2021

1 Qershori, inagurohet Parku i ri në Librazhd Balla: Fëmijët në ditën e tyre po i gëzohen parkut të ri

Një park i ri ishte dhurata e Bashkisë së Librazhdit për fëmijët me rastin  1 Qershorit. U zgjodh pikërisht kjo ditë për ta inauguruar Parkun e Qershive për të gëzuar pikërisht të vegjlit në ditën e tyre. Por sigurisht, jo vetëm për fëmijët, Parku i Qershive do t’i shërbejë të gjithë banorëve të bashkisë së Librazhdit, pasi këtij qyteti i mungonte një park me hapësira të gjelbra, kënde sportive etj.

Në ceremoninë e përurimit ishte i pranishëm Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe kryetari i Bashkisië së Librazhdit Kastriot Gurra.

Në fjalën e tij Balla tha se fëmijët në ditën e tyre po i gëzohen parkut të ri, por duke vënë re grumbullime të prindërve për të festuar me fëmijët e tyre, ai kërkoi ende kujdes pasi, pavarësisht hapjes, virusi nuk ka mbaruar.

“Sot është dita e parë e hapjes së plotë në të gjithë Shqipërinë dhe konçidoi me ditën e festës së fëmijëve për të cilët sot është edhe dita e parë e kthimit në kopshte e çerdhe. Bashkia Librazhd e kishte lidhur ditën e inaugurimit të parkut me 1 Qershorin.

Kjo ishte një dhuratë shumë e bukur, por dua t’i drejtohem prindërve dhe edukatorëve për shumë kujdes dhe shumë gatishmëri sepse nuk ka mbaruar ende.

Pavarësisht se kemi kaluar pjesën më të madhe, virusi ende nuk ka ikur, madje së fundmi u identifikua një rast në Librazhd, fatmirësiht, nga informacionet e shërbimit epidemiologjik, ky është një rast tërësisht i izoluar, por kujdesi nuk duhet të mungojë. Hapja duhet të vijojë me rritjen e vëmendjes. Edhe pse shoh që fëmijët sot e kanë shkelur pak, por ju lutem të vijojmë me kujdesin”, tha Balla.

Pas epidemisë është e rëndësishme edhe rimëkëmbja ekonomike dhe përveç thirrjes për të konsumuar produkte shqiptare, Balla u bëri thirrje shqiptarëve t’i kalojnë pushimet e verës në vendin e tyre. “Ne vazhdojmë punën dhe vazhdojmë t’i shërbejmë komuniteteve sepse ajo që është shumë e rëndësishmë në këtë moment është rimëkëmbja ekonomike. Vijimi i investimeve publike është shumë i domosdoshëm.

Themeli i kësaj lụfte ishte betejja për jetën dhe këtë betejë e fituam, por tashmë që nis sezoni turistik u bëj thirrje shqiptarëve të pushojnë në Shqipëri. Numri i të huajve që pushojnë në Shqipëri do të jetë më i vogël, por shqiptarët kanë mundësi të mbështesin njëri tjetrin dhe të pushojnë në vendin e tyre.”, deklaroi Balla.

Kryetari i Bashkisë së Librazhdit Kastriot Gurra në fjalën e tij tha se në fazën e dytë do të shtohen hapësirat dhe këndet e lojërave për fëmijë ndërkohë që kjo fazë përfshin edhe ndriçimin, vendosjen e stolave dhe të tjera hapësira sportive. Librazhdi asnjëherë, që nga krijimi i tij nuk ka pasur një park që t’u shërbejë qytetarëve të çdo moshe.

Ndërtimi i këtij parku u bë në pjesën më të bukur të qytetit, buzë lumit, por pas ndërtimit të pritave pasi zona rrezikonte përmbytje në rast vërshimi. Ajri i pastër dhe pamja që ofron Parku i Qershive e bën këtë zonë, vendin më të frekuentueshëm në qytet”, tha Gurra.

Kjo zonë e cila dikur ishte një hapësirë me mbetje inete dhe që përmbytej nga dalja e lumit nga shtrati, tashmë ofron një pamje fantastike, me 500 pemë të mbjella, kënde sportive dhe hapësira rekreative.