Monday , July 6 2020

Shokon gjyshi i Bleona Matës: Një nga 5 vajzat na tha se Bleona do kthehet në shtëpi

10 vite nga zhdukja e Bleona Matës, kur plaga është ende e hapur, familjarët shokohen nga një lajm i fundit që ua ngriti zemrën peshë. Nëna e Gentianës, njëra prej 5 vajzave, që ishin me Bleonën atë ditë që vogëlushja u zhduk i ka pohuar familjes Mata, se vajza do të kthehej për tre ditë. Lajmin, që morën 3 ditë më parë, në një lidhje telefonike për emisionin ’Pa Gjurmë’ e konfirmoi edhe gjyshi i Bleonës, Zenel Mata, i cili tha se pasi shkoi të pyeste në familjen e Gentianës e ëma e saj e mohoi.

‘’Nëna e Gentianës i ka thënë bashjëshortes se brënda 3 ditëve do kthehet vajza. Kur e takova nënën e Gentianës, ajo më tha se ishte një ëndërr e parë nga ajo. Bleonën e lanë vetëm dhe të pesta vajzat u shpërndanë, e fundit që e ka parë ka qenë Qamilja.Unë nuk kam kontakte me babain e Bleonës, për shkak të humbjes së vajzës. Nuk e di nëse ka bërë kërkime, por nuk besoj se ka kërkuar. Kur ka humbur vajza ai ka qenë në Maqedoni dhe nuk dyshoj tek ai, por 5 vajzat është e sigurtë që kanë gisht. Qamilja nuk flet, ajo shmanget sa herë përballet me ne’’, tha Zenel Mata, gjyshi i Bleonës.

Por jo pak është shokuar edhe nëna Bukurie Veizi, e cila e irrituar dhe e dëshpëruar nga kjo ngjarje e fundit thotë se krimin e kanë brenda në shtëpi.

‘’Familja e burrit nuk po bëjnë asgjë për ta kërkuar.Është diçka që fshihet brënda familjes, sepse ish-vjehrri më tha se nëna e Gentianës i tha që këto 3 ditë do të vijë Bleona. Edhe Qamilja ka thënë kështu. Ato dinë diçka, sepse janë të sigurtë që do vijë vajza.Vjehrri e pyeti se ku e di ti dhe ajo tha mos u merr me këtë punë, por Bleona do të kthehet këto 3 ditë. Kot jemi lodhur duke kërkuar 10 vite kur krimin e kemi në shtëpi. Është diçka që fshihet shumë afër dhe ne nuk po e shohim.’’, tha për emisionin ’Pa Gjurmë’ nëna e Bleonës.

Ndërsa ky është viti që do të festonte ditëlindjen e saj të 16-të, ka kaluar një dekadë që Bleona Mata nuk fik qirinjtë e tortës pranë familjes. Një nga zhdukjet më të bujshme, në dekadën e fundit kjo ngjarje mbetet ende e veshur me mister. Që në nisje të emisionit investigativ ‘Pa gjurmë’, historia e Bleona Matës që u zhduk më 22 maj të vitit 2010, teksa kulloste bagëtinë në mal, së bashku me 5 vajza të afërme të saj vijon të ngjallë tek publiku mjaft reagime. Prej dy vitesh zhdukja e mistershme e vogëlushes është rikthyer disa herë në studion e emisionit ’Pa Gjurmë, për shkak të mjaft informacioneve të mbërritura, me shpresën për të hedhur dritë mbi një të vërtetë të mundshme të fatit të saj.