Monday , July 6 2020

Greqia me dy standarde/ Anulon hapjen e kufirit me Shqipërinë. Emigrantët shqiptarë nuk vizitojnë dot vendin e tyre.

Megjithëse Greqia ka vendosur që të hapë sezonin turistik, duke nisur që nga data 1 korrik, kufiri me Shqipërinë do të qëndrojë i mbyllur me argumentin e mbrojtjes nga koronavirusi. Kjo bën që të penalizohen shumica e emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, të cilët nuk do të kenë mundësi të vizitojnë Shqipërinë, veçanërisht të afërmit e tyre.

Këtë e deklaroi një anëtar i qeverisë greke sipas të cilit Greqia nuk është ende gati të hapë kufijtë tokësorë me Shqipërinë më datën 1 korrik ashtu siç ishte paralajmëruar. Kjo është një sjellje me dy standarde e Greqisë, e cila disa ditë më parë kishte deklaruar se do të hapte kufirin me shumë vende, ku përfshihej edhe Shqipëria. Por, sot ka ndryshuar çdo gjë.

Greqia e ka vendosur vendin tonë në listën e vendeve që iu ndalohet hyrja në këtë vend ku përfshihen 9 shtete si Britania e Madhe, Suedia, Rusia, Izraeli, Katari, Emiratet Arabe, Arabia Saudite, Maqedonia e Veriut dhe ShBA-ja. Sa i përket vendeve të tjera që do të lejohen turistët, do t’i nënshtrohen testeve anticovid. Në rast se rezultojnë pozitivë, ata do të karantinohen për 14 ditë.