Friday , November 27 2020

34-vjeçarja nga Librazhdi me Covid-19 ndërroi jetë, i vëllai: “Motra u infektua në QSUT, u sollën shumë keq”

Para disa ditësh një 34-vjeçare nga Librazhdi, e cila kishte rezultuar pozitive me Covid-19, ndërroi jetë në Spitalin Infektiv. Babai i saj ka rrëfyer në emisionin “Me Zemër të Hapur” se edhe ai është prekur nga koronavirusi: “Edhe unë bëra një tampon dhe rezultova pozitiv. Por unë nuk kam asnjë shenjë, as kam lëvizur nga shtëpia. Bashkëshortja ndërroi jetë në 2009, edhe unë i shërbeja por edhe ajo më shërbente mua. Ishim të dy për njëri tjetrin.”

Ndërkohë sipas vëllait të viktimës, ajo është infektuar me Covid-19 në QSUT. Po ashtu ai shprehet i revoltuar për sjelljen e stafit në QSUT, për të cilët thotë se nuk u kujdesën aspak për motrën dhe iu desh ta ndihmonte vetë.

“Motra që në moshën 15 vjeçare u diagnostikua me sëmundjen e diabetit dhe ajo e vuajti shumë këtë gjë. Ajo u rëndua shumë kohët e fundit, bënte insulinë. Por kohët e fundit u rëndua gjendja, ne e çuam në qendrën shëndetësore të Librazhdit dhe nga aty na nisën për në spitalin e Elbasanit. Motra mbante gjithë mjetet e duhura për t’u ruajtur. Të gjithë si familje kemi mbajtur maska, doreza. Motra nuk dilte, ajo bënte vetëm vizitat për mjekimin që merrte.

Kur e çuam në Elbasan, ajo nuk kishte as kollë as temperaturë, madje edhe kur e çuam në Tiranë ata nuk dyshuan fare për virusin. Tamponi i është bërë kur u transferua nga reanimacioni për në Infektiv.

Motra u infektua në QSUT, sepse ndryshe ajo do na kishte infektuar edhe ne. Deri më sot rezulton vetëm babi pozitiv. Por babai e ka shoqëruar gjatë kohës nga spitali Elbasanit drejt spitalit QSUT. Kur unë u gjenda te spitali më njoftoi një infermiere, duke më thënë se nuk duhet të afrohesha pasi motra kishte rezultuar me Covid.

Por për kêtë sjellje të spitalit kam shumë për të thënë. Infermierja më tha mos u afro fare, jam shumë i pakënaqur nga sjellja dhe shërbimi i tyre. Një shërbim zero nga kjo anë. Stafi mjeksor nuk ka shërbyer, madje janë larguar dhe nuk janë afruar fare, kjo zgjati nga ora 6 e pasdites deri në 12 të natës.

Ato silleshin shumë keq me mua. Një moment vjen infermierja dhe më thote që do ta trasferojmë motrën te Infektivi. Por mua më lanë ta merrja vetëm, asnjë ndihmë nuk më dhanë, e kam ngritur vet në barrelë sepse nuk afrohej askush.

Motrës nuk i thash asgjë, më vinte jashtë mase keq. I thash motrës që do jesh në një spital tjetër. Ajo nuk e mori vesh kurrë. Një ditë para se të vdiste motra na telefonoi një mjeke ku na tha që është rënduar gjendja. Motra kishte vështirësi në frymemarrje. Atë ditë që e çova te Infektivi e ushqeva me dorën time. Unë nuk ju ndava asnjë moment motrës, ajo shpresonte se do bëhej mirë dhe nuk shprehu ndonjë dëshirë”- tha vëllai i saj ndër të tjera.