Wednesday , August 5 2020

Infermierja me COVID-19, mbyllet një prej reparteve kryesore në Spitalin e Elbasanit.

COVID- 19 prek stafin shëndetësor edhe në qytetin e Elbasanit. Burime për Report TV bëjnë me dije se pas tamponëve të marrë, kanë rezultuar pozitiv 4 persona, një prej tyre infermiere, pjesë e stafit të qendrës spitalore “Xhaferr Kongoli”, në repartin e gjinekologjisë. Mësohet se infermierja ka shfaqur simptomat disa ditë më parë, teksa iu nënshtrua tamponit ku dhe ka rezultuar pozitiv.  Për shkak të këtij rasti, reparti është vetëkarantinuar duke çuar në mbyllje të tij.

Aktualisht po trajtohen 88 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 1 është i intubuar. Në 24 orët e fundit janë shëruar 45 qytetarë, duke e çuar në 1637 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1108 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, institucioneve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore dhe se kur është e mundur të lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia për të minimizuar kontaktin mes tyre dhe përhapjen e infeksionit.

“Ruani distancën fizike, lani shpesh duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse në ambiente publike apo kudo ku nuk është e mundur të ruhet distanca, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni. Virusi është ende mes nesh, dhe ne mund ta mposhtim atë vetëm nëse ndryshojmë sjelljen tonë të përditshme duke respektuar rregullat e vendosura. Suksesi do të varet nga sjellja individuale e çdo qytetari…”